English

Presidenti i Kosovës: Nuk e ftoj Tadiçin në samit

Prishtinë, 28 Dhjetor NOA - Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, deklaroi sot se ai nuk do ta ftojë presidentin e Serbisë, Boris Tadiç, në mini-samitin e shefave të shteteve fqinje të Kosovës, i cili pritet të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm. "Nuk do ta ftoj në takimin e kolegëve të rajonit. Sigurisht që do të ketë raste të tjera, por nuk do ta ftoj sa për lojë", - deklaroi Sejdiu. Kurse shtoi: "Si ta ftoj njeriun, i cili me tërë energjinë deklarohet kundër pavarësisë së Kosovës dhe bën gjithçka që ta pengojë njohjen e mëtejme".

Gjithsesi, Sejdiu tha se qëndrimi parimor i institucioneve dhe i udhëheqësve të Kosovës është që të ketë marrëdhënie të mira me Serbinë, por sqaroi: "Ne jemi të gatshëm qysh sot, por jo sa për lojë", ka theksuar presidenti kosovar.

Menjëherë më pas, Sejdiu u shpreh me bindje se do të vijë koha kur presidenti i Serbisë do të ftohet të vijë në Kosovë, por edhe presidenti i Kosovës do të ftohet ta vizitojë Serbinë.

"Ne jemi gjithmonë të gatshëm të investojmë në marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore, por kurrë, kurrë dhe, përsëris fuqishëm, kurrë që të bisedohet për temat, të cilat ata duan t'i vënë në agjendën e bisedimeve, siç janë: përsëritja e negociatave apo çështja e statusit të Kosovës", deklaroi presidenti.

Po ashtu ai komentoi dhe paralajmërimet për mbajtjen e mini-samitit të presidentëve të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi.

Sejdiu ka thënë se kjo nismë ka ekzistuar disa kohë më parë dhe se nuk ka pasur përcaktim konkret të datës, por ka shtuar se presidentët e këtyre shteteve kanë rënë dakord që samiti të mbahet në Kosovë, në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm.

a.b/e.r/NOA

KOMENTE