"Kështu stabiliteti në Ballkan do të vazhdojë dhe nëse ka ndonjë gjë që Japonia mund të bëjë për këtë është se ne jemi gati të bashkëpunojmë", deklaroi kohët e fundit në Tiranë Ambasadori i Japonisë në Shqipëri, Hiroyasu Ando
Nga Genc Mlloja*
Një ndër vlerësimet pozitive konstante që i bëhet Shqipërisë nga ndërkombëtarët është roli i saj stabilizues në rajonin e Ballkanit. Dhe ky vlerësim, që cilësohet edhe si shumë konstruktiv, është përshëndetur jo vetëm nga drejtuesit e institucioneve ndërkombëtare, përfshirë edhe ata të Bashkimit Europian edhe kohët e fundit, por edhe nga udhëheqës të vendeve të ndryshme gjatë vizitave të tyre në Tiranë ose të atyre shqiptarë jashtë.
E kur një vlerësim i tillë bëhet edhe nga diplomacia e vendeve të largëta, si për shëmbull, të Azisë kjo merr një vlerë të veçantë.
Shembulli më i fundit për këtë është përkufizimi që bëri Ambasadori i Japonisë në Tiranë, Hiroyasu Ando, në një intervistë ekskluzive që pata me të më 17 dhjetor 2009, e cila u botua fillimisht në të përditshmen Albanian Daily News më 21 dhjetor.
"Gjatë 20 viteve të fundit, vendet e Ballkanit kanë përjetuar shumë ndryshime, dhe unë e di, duke u nisur nga plani historik, se ka ekzistuar një gjendje shumë e komplikuar diplomatike dhe politike në rajonin e Ballkanit," deklaroi diplomati i lartë japonez, i cili mbulon Shqipërinë nga ana diplomatike duke qenë rezident në Romë.
Ai shtoi, "Ju (Shqipëria) keni patur kohë të përfundoni shumë marrëveshje në rajon dhe unë mund të shikoj se gjendja po bëhet për herë e më e mire dhe Shqipëria ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në këtë drejtim".
Më tej përfaqësuesi i lartë i diplomacisë japoneze solli në vëmendje faktin se për Shqipërinë është tani vend anëtar i NATO-s dhe në të ardhmen do të bëhet anëtare e BE-së. Duke i vlerësuar në mënyrë të veçantë këto dy elementë ai theksoi: "Kështu stabiliteti në Ballkan do të vazhdojë dhe nëse ka ndonjë gjë që Japonia mund të bëjë për këtë është se ne jemi gati të bashkëpunojmë".
Kësisoj bëhet akoma më e qartë se dialogu dhe mos prerja e urave të komunikimit ndërmjet vendeve në këtë gadishull, që quhej rëndom "fuçi baroti" në të kaluarën janë e vetmja rrugë e drejtë për paqe dhe stabilitet.
Në këtë kuadër vizita e një delegacioni të serbëve të Kosovës, i kryesuar nga anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, njëherësh Kryetar i Partisë Liberale Serbe në Kosovë, Sllobodan Petroviç, i cili përfshinte edhe Ministrin për Kthime dhe Komunitete, Sasha Rashiç, Ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiç dhe kryetarin e sapozgjedhur të komunës së Graçanicës, Bojan Stojanoviç, mund të konsiderohet si një hap tepër i rëndësishëm dhe në drejtimin e duhur i diplomacisë shqiptare.
Politikanët shqiptarë dhe ata serbë, qofshin të Kosovës apo edhe të Beogradit, janë takuar herë pas herë. Dhe është për tu vlerësuar fakti se të dy palët kanë shmangur skena të papëlqyeshme të praktikës së mëparshme diplomatike kur nuk shkëmbenin as përshëndetje dhe as nuk shtrëngonin duart, që shpesh ktheheshin në skena të papëlqyeshme.
Përkundrazi gjërat kanë ndjekur kursin pozitiv, sidomos pas takimit të ministrave të jashtëm të Shqipërisë dhe të Serbisë, respektivisht Ilir Meta dhe Vuk Jeremic, ne muajin tetor të këtij viti në Budapest te Hungarisë me rastin e një konference rajonale të përfaqësuesve të vendeve të të ashtuquajturit grupi i Vishegradit.
Analistët ndërkombëtarë shkruanin pas atij takimi se marrëdhëniet shqiptaro-serbe po njihnin një lloj periudhe "muaji mjalti" edhe pse të dy këto shtete kanë qëndrime krejt të kundërta sa i përket Kosovës së pavarur.
"E ardhmja e Kosovës, njëlloj si e ardhmja e rajonit, është europiane," do të deklaronte Z. Meta në konferencën e përbashkët për shtyp me Z. Jeremic.
Vizita e delegacionit të përfaqësuesve serbë të Kosovës, me ftesë të diplomacisë së Shqipërisë, javën e kaluar, u quajt historike nisur nga rezultatet e saj konkrete dhe perspektivat që hapi, por edhe nga simbolika duke u shënuar si e para e këtij lloji dhe e këtij niveli.
Dhe, nga ana tjetër, ftesa publike që iu bë Presidentit të Serbisë Boris Tadic nga kryeministri Sali Berisha në prani të udhëheqësve serbë të Kosovës për të vizituar Tiranën zyrtare nuk është gjë tjetër veçse pjesë e kursit të pandryshueshëm të diplomacisë shqiptare për ta përforcuar rolin e saj konstruktiv në rajon.
Ne këtë kontekst nuk me duket aspak pa vend të thuhet se fryma e konstruktivitetit politik dhe diplomatik si dhe vetëpërmbajtja, veçanërisht në Ballkan, i ka sjellë Shqipërisë veçse gjëra pozitive, bile edhe në kohën e regjimit komunist, sado qe mund te duket paradoksale. Kjo duhet vlerësuar edhe në momentet e tanishme politike të vendit, kur opozita qëndron jashtë parlamentit, thjeshtë për faktin e dukshëm se veprimtaria diplomatike nuk është stepur, por përkundrazi ka ndjekur kurbën ngjitëse.
Vetë kursi integrues në dy shtyllat e demokracisë botërore, NATO dhe BE, i përqafuar fort nga të gjithë ballkanasit tani, nuk i lë vend tjetër gjeje veçse dialogut dhe bashkëpunimit të të gjithë vendeve, përfshire edhe Kosovën e pavarur.
Kjo frymë, që po mbisundon dhe fiton terren përditë në Ballkan, të cilën domosdo e bëjnë më të fortë edhe zhvillimet e fundit ne marrëdhëniet ndërballkanike, përfshirë edhe ato shqiptaro-serbe, nuk kalon pa u vënë re dhe pa u vlerësuar vlerësuar nga diplomacia botërore.
Dhe këtë e bën më bindëse ajo që citova më lart nga intervista me diplomatin e lartë nga Japonia, Ando, i cili kishte sigurinë e plotë se stabiliteti në Ballkan do të vazhdojë dhe se "nëse ka ndonjë gjë që Japonia mund të bëjë për këtë është ajo qe ne jemi gati të bashkëpunojmë".
(*) Dërguar nga autori