"Të udhëtoni me Serbinë me një tren për Bruksel, kjo ka qenë e pamundshme, edhe për një kohë të gjatë. Dhe nëse BE do ta priste pajtimin e plotë të Serbisë me ju, të gjithë do të ishin në vonesë. Për këtë arsye është gjetur zgjidhja që të udhëtohet me trena të ndarë"
Nga Shkëlzen Maliqi
Zyrtarizimi i vendimit të BE-së për heqjen e vizave qytetarëve të Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, nuk është pritur me entuziazëm në Kosovë, Shqipëri dhe Bosnje dhe Hercegovinë. Këto shtete janë lënë të presin përderisa nuk i plotësojnë kërkesat specifike të Brukselit që janë parakusht për ndryshimin e regjimit të vizave. Konsternim të përgjithshëm dhe kritika ndaj burokracisë së BE-së ka shkaktuar sidomos favorizimi i Serbisë, si agresore e luftërave dhe një shtet që ende konsiderohet si problem dhe kërcënim kryesor për rajonin, ndërkaq që po ndëshkohen viktimat e agresioneve të saj. Ka pasur shumë reagime dhe peticione të organizatave dhe intelektualëve nga bota dhe rajoni, ku është argumentuar se BE nxori një vendim të keq, në mos edhe të turpshëm. Në këto reagime, pohohej se Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina kanë ngecur në zhvillimin e tyre mu për shkak se kanë qenë viktima të Serbisë, dhe se edhe sot e gjithë ditën vuajnë nga pasojat e "kufijve të hapur" me Serbinë dhe ndërhyrjet flagrante të Beogradit në punët e brendshme dhe të jashtme të tyre. Burokratët e Brukselit, e edhe kancelaritë tjera të rëndësishme evropiane, nuk kanë pasur shumë vesh për këto kritika. Prej tyre dëgjohej se gjithçka është në rregull, sepse çështja është më shumë procedurale dhe jo që aty të kërkohet ndonjë ‘strategji' e veçantë favorizuese për disa shtete dhe diskriminuese për tjerat. Kam biseduar javën që shkoi në katër sy me ndonjë diplomat evropian dhe ai e kuptonte shqetësimin dhe reagimet, por insistonte që të merrej çështja më shtruar dhe pa emocione. "Trenat e integrimit të vendeve të Evropës Juglindore tashmë janë nisur për në Bruksel" - pohonte ai. "Po këto itinerare të ndara, që dikush po e prenë biletën më herët e dikush më vonë, është pasojë e dallimeve në cilësinë e hekurudhave dhe të shkathtësisë së që i drejtojnë kompozicionet e shteteve konkurruese." Me një tonë të qetë, ai ia vinte kapakun bisedës me argumentin: "Ju duhet të gëzoheni me heqjet aktuale të vizave, sepse kjo do të ndodhë së shpejti edhe me ju. Nuk jeni larg stacionit të fundit për ku jeni nisur." Unë megjithatë ja kujtova ankesën më të shpeshtë se çka paska bërë Serbia më shumë se Kosova ose Bosnja, që të meritojë udhëtime pa viza? A nuk është Serbia e ngatërruar keq në nyjën e Kosovës, dhe me këtë vendim të ngutur a nuk po e humb BE-ja një argument të fortë që Serbinë ta kushtëzojë me njohjen e pavarësisë së Kosovës? A nuk do të ishte shumë më efikase që Serbisë t'i hiqen vizat paralelisht me Kosovën dhe Bosnjën, duke kërkuar që për hir të stabilitetit afatgjatë të rajonit, Serbia të pajtohet me realitetin e ri? Ndërkaq, kështu siç ka ndodhur vetëm sa i hapet rruga Beogradit dhe vazhdohet me kushtëzimet ndaj Prishtinës dhe Sarajevës. A nuk po i jepet Serbisë një amnisti e rrezikshme dhe hapësirë e re manovruese për të bllokuar përshpejtimin e proceseve integruese? "Nuk keni shumë përvoja në këto punët e intervenimeve të botës. Mos u gënjeni edhe ju se me heqjen e vizave po i bëhet shërbim i madh Serbisë. Mendoj se është e kundërta. Me këtë Serbia sfidohet shumë. Ajo tashmë detyrohet që të pajtohet me shtetin e Kosovës, por, kuptohet, nuk mund ta thotë këtë në mënyrë të hapur. Të udhëtoni me Serbinë me një tren për Bruksel, kjo ka qenë e pamundshme, edhe për një kohë të gjatë. Dhe nëse BE do ta priste pajtimin e plotë të Serbisë me ju, të gjithë do të ishin në vonesë. Për këtë arsye është gjetur zgjidhja që të udhëtohet me trena të ndarë...". Ndonëse e kuptova mirë argumentin e tij, heshtja ime atij iu duk si hezitim që të bindem, dhe andaj vazhdoi më me ngulm: "Kam dëgjuar edhe unë argumentin se Shqipëria, Bosnja dhe Kosova nuk kanë marrë lehtësimin e vizave dhe po vonohet integrimi për shkak se këto janë shtete me shumicë myslimane të popullsisë. Kjo nuk është e saktë dhe për këtë do të bindeni shpejt. P.sh. Kosovës shumë shpejt do t'ia heqim vizat, me një procedurë të veçantë, të cilën BE-ja do ta aplikojë edhe me Tajvanin. Siç dini, Tajvani është një shtet që nuk e ka njohur asnjë anëtar i BE-së, kështu që as pesë "aleatët" e Serbisë në BE, shtetet që hezitojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës, nuk mund ta bllokojnë këtë procedurë speciale." Në fund, shtoi edhe diçka që përmbyste idenë se Serbia do të mund të përfitonte dhe kushtëzonte BE-në në të ardhmen. "Këtu sikur ka shumë paragjykime për mundësitë që Serbia të korrë fitore diplomatike, pasi që e ka humbur luftën. Mos u bëni naivë. Nëse për vizat nuk e kemi kushtëzuar Serbinë, kjo nuk do të thotë se nuk do ta bëjmë këtë deri në ditën e fundit para anëtarësimit të saj në BE. Ka edhe shumë punë dhe detyra për Serbinë, sikundër edhe për juve. Në zhvillimet komplekse, siç është kjo histori e madhe e integrimit të Evropës, nuk ka shumë rëndësi kur do të arrini në cak, por se tashmë e keni prenotuar biletën për atë rrugëtim. Aq më parë që me fuqizimin e plotë të Traktit të Lisbonës i cili rinovon vendim-marrjen dhe qeverisjen e BE-së, për Kosovën do të hiqet edhe pengesa e vendimit me konsensus...".