English

Berisha feston me familjet e ushtarakëve shqiptarë në misionet paqeruajtëse jashtë vendit

Tiranë, 29 dhjetor NOA - Kryeministri, Sali Berisha mori pjesë sot në një ceremoni festive të organizuar me familjet e ushtarakëve shqiptarë që në ndodhen të shpërndarë në misione paqeruajtëse nëpër botë.

Duke shprehur mirënjohje për realizimin e detyrës së vështirë në Afganistan, Çad, e Bosnje, Kryeministri Berisha falënderoi ushtarakët shqiptarë, si dhe u përcolli, prindërve bashkëshortëve dhe fëmijëve të pranishëm, ndjenjën e lartë të krenarisë që kombi dhe qeveria shqiptare ka për familjarët e tyre jashtë atdheut.

Gjatë këtij aktiviteti, u realizua edhe një bisedë telefonike mes kryeministrit Berisha dhe major Abaz Bregut që shërben në Herat, në Afganistan, si dhe major Besim Çelës, me detyrë në Çad, ku shkëmbyen falënderimet dhe urimet me rastin e festave të fundvitit. "I nderuar ministri i Mbrojtjes, zoti shef i Shtabit të Përgjithshëm, zotërinj ushtarakë, të dashur prindër familjarë bashkëshortë dhe fëmijë të ushtarakëve tanë në Afganistan, Çad, Bosnje dhe kudo që ndodhen.

Ju përshëndes shumë përzemërsisht ju prindërve, bashkëshortëve, familjarëve, fëmijëve të ushtarakëve që përfaqësojnë kombin tonë në zonat më të nxehtat të planetit, përfaqësojnë vullnetin e hekurt të kombit shqiptar dhe të qeverisë shqiptare për të dhënë kontributin e vet modest në paqen dhe sigurinë botërore, si rruga më e sigurtë për të patur paqe dhe siguri në vendin tonë, në shtëpinë tonë" tha Berisha gjatë fjalës së tij.

"Sot ne jemi mbledhur këtu për festuar pak çaste së bashku, por gjithashtu për të nderuar baballarët, bashkëshortët, djemtë tuaj, vajzat tuaja, të cilët janë sot në një detyrë, më të rëndësishmen. Për shkak të kësaj detyrë, ata këtë Vit të Ri nuk e bëjnë dot në familjet e tyre, nuk e bëjnë dot në vendin e tyre. Por festa këtu së bashku, është mesazhi më i shkëlqyer që ne u dërgojmë atyre për Vitin e Ri. Festa së bashku është së pari një ndjenjë e veçantë krenarie për ta. Ne jemi mbledhur sot krenarë me ushtarakët tanë në Afganistan, Çad , Bosnje dhe kudo që ndodhen, për detyrën që ata kryejnë, për mënyrën e shkëlqyer se si ata e kryejnë, për përfaqësimin dinjitoz që ata na bëjnë ne; ne jemi mbledhur sot mirënjohës ndaj tyre, sepse ata janë në një sakrificë të vazhdueshme. Në këtë kontekst sakrifica e tyre është edhe ajo një kontribut i kësaj feste që ne bëjmë sot këtu" shtoi më tej Berisha.

k.k/NOA

KOMENTE