Tiranë, 29 Dhjetor NOA - Hipermarketi më i madh "Bëje vetë" në Shqipëri, Megatek, hapi dyert sonte për publikun duke sjellë në vendin tonë një investim të rëndësishëm. Kryeministri Sali Berisha duke folur në ceremoninë e përurimit të hipermarketit "Megatek" tha se ky investim ka një domethënie të veçantë pasi vjen në një kohë kur në të gjithë botë ka pllakosur kriza ekonomike.
Kurse theksoi se qeveria nuk do të ndalet në përpjekjet e saj, për të zhvilluar hapësirat dhe liritë e investitorëve në vend, si faktorë të rëndësishëm të punësimit dhe begatimit të qytetarëve shqiptarë.
Berisha evidentoi faktin se në këtë investim të ri, janë punësuar mëse 500 punonjës dhe tha se ky është një avantazh më shumë për Shqipërinë.
Në këtë pikë, Berisha premtoi se qeveria që ai drejton do të jetë pranë biznesit në përpjekjet e tij serioze për të investuar në të tilla përmasa në Shqipëri.
Kryeministri theksoi se investimet më të fundit që kanë hyrë në tregun e Kryeqytetit, i kanë dhënë këtij tregu, një fizionomi të re dhe moderne, por gjithashtu janë shndërruar në faktorë të rëndësishëm të punësimit të mijëra e mijëra qytetarëve.
Ndër të tjera, ai shprehu mirënjohjen dhe falënderimet për mbështetësit kryesor të këtij projekti, Tirana Bank dhe Alfa Bank, të cilat kanë mbështetur edhe projekte të tjera shumë të rëndësishme, në kohëra të vështira të krizës ekonomike.
Në këtë kontekst, kryeministri garantoi të gjitha bankat private në Shqipëri se qeveria do të bëjë të gjitha përpjekjet për krijimin e një mjedisi sa më të sigurt të investimeve të tyre në Shqipëri.
"Unë dua të shpreh mirënjohjen time, falënderimin tim të përzemërt për Tirana Bank, për Alfa Bank,të cilat kanë qenë mbështetësit kryesorë të këtij projekti , por dhe mbështetësit kryesor të një seri projektesh të mëdha. I kanë mbështetur ato me guxim e kurajë dhe jo në kohëra me diell, por në kohëra të stuhisë dhe të krizës. Bankat greke me kredo të shërbimit që ofrojnë, janë një faktor i rëndësishëm të zhvillimit të ekonomisë shqiptare", - tha Berisha.
Këtu ai shfrytëzoi rastin t'i garantojë ato dhe bankat private në Shqipëri dhe në tërësi se qeveria ime është vendosur të bëjë të gjitha përpjekjet për një mjedis sa më të sigurt të investimeve të tyre në këtë vend.
Kryeministri theksoi se qeveria nuk do të ndalet në përpjekjet e saj për të zhvilluar hapësirat dhe liritë e investitorëve në vend, si faktorë të rëndësishëm të punësimit dhe begatimit të qytetarëve shqiptarë.
***
Ky hipermarket, më i madhi i llojit të tij, në Shqipëri dhe rajon, përmbledh në një koncept të vetëm, përvojat më të mira të tregut ndërkombëtar është investim privat, i mbështetur me kreditim nga Tirana Bank dhe Alfa Bank.
Dionis Teqja, President i Megatek duke folur sonte në ceremoninë e përurimit, tha se ka qëndruar për një periudhë të konsiderueshme jashtë vendit për të marrë përvojën më të mirë që sjellin investime të tilla gjigante.
Nga ana tjetër, Teqja vlerësoi qëndrimin e qeverisë shqiptare, në mbështetje të biznesit.
Megatek është ndërtuar në krah të autostradës Tiranë-Durrës, në kilometrin e shtatë ku ajo kryqëzohet me rrugën e Rinasit, Megatek.
Si një investim privat prej më shumë se 40 milionë eurosh, Megatek është ndërtuar mbi një sipërfaqe toke private prej 150.000 m2, nga ku 62.000 m2 zë vetëm Megatek-u.
Në sipërfaqen e brendshme të Hipermarketit shitja me pakicë zë 14.000 m2, magazina dhe shitja me shumicë 10.000 m2, zyra 2.600 m2, restorante dhe banka 2.100m2, dhe pjesa tjetër hapësirë e gjelbër e parking.
Mbi 380 punonjës të brendshëm e 150 të jashtëm do të kujdesen për mbarëvajtjen e shitjes së produkteve nga 48 vende të ndryshme te botës.
Megatek do t'u ofrojë konsumatorëve, profesionistëve të ndërtimit si edhe dyqaneve të të njëjtit profil mbi 30.000 artikuj të 6 kategorive të ndryshme si dekorime shtëpie, ndriçim dhe elektrike, materiale ndërtimi, vegla pune, kopshtari, ngrohje dhe ftohje, etj.
Në Megatek konsumatori blen me lirë dhe më shpejt artikuj të mirëpërzgjedhur e marka të njohura në tregun ndërkombëtar.
Koncepti i dyqaneve "Do it yourself" njihet prej vitesh në tregjet e huaja si burim artikujsh e lëndësh të para për konsumatorët që preferojnë të ndërtojnë, riparojnë e dekorojnë vetë ambientet e tyre.
Për shumë njerëz shtëpia është investimi më i madh financiar dhe emocional që bëjnë në jetën e tyre, ndaj koncepti "Bëje vetë" përmbush këtë hapësirë e nevojë të tregut shqiptar.
Shërbimet e ofruara në Megatek ndihmojnë konsumatorin jo vetëm të bëjë përzgjedhjen e duhur por edhe të mund të ndërtojë, restaurojë e dekorojë vetë ambientet e tij.
Mënyra se si Hipermarketi është dizenjuar, instruksionet dhe shembujt e ndërtuar në të, të inkurajojnë dhe shtyjnë …ta bësh mirë, ta bësh vetë.
e.r/NOA