English

Hashim Thaçi: 2010 vit i fuqizimit të shtetit të Kosovës

Prishtinë, 29 dhjetor, NOA - Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në një intervistë ekskluzive për BBC ka thënë se 2009-ta ishte një vit i mbarë për Kosovën, ndërkaq viti 2010 do të jetë një vit i fuqizimit të shtetit të Kosovës dhe vit i integrimit në strukturat euroatlantike. Duke folur për ngecjet në procesin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, ai ka thenë se shkaktari për këtë ka qenë procesi që po zhvillohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

 Kryeministër Thaçi, viti 2009 ishte një vit me plot zhvillime por aspak i lehtë për Kosovën dhe për qeverinë tuaj. Cili është vlerësimi juaj për sukseset dhe dështimet e këtij viti?

- 2009-ta ka qenë një vit jo i lehtë, por i suksesshëm. Ka qenë një vit i sfidave dhe në të njejtën kohë i implementimit të kritereve demokratike. Ne fituam shumë njohje ndërkombëtare. Fituam 64 njohje, të cilat rrezultuan fuqishëm në konsolidimin e shtetit tonë, në fuqizimin tënë në aspektin ndërkombëtar. Arritëm që t'i konsolidojmë institucionet në kuptimin e funksionimit efektiv, të rritjës së transparencës, të lutës së pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Nëse e krahasojmë vitin 2009 me vitin 2007, për shembull, kur në vitin 2007 Kosova ishte e para në ranglistën e vendeve të korruptuara nga rajoni, ndërsa në vitin 2009 e fundit, mendoj se është një sukses i jashtëzakonshëm i institucioneve dhe qytetarëve të vendit. Është një sukses, në radhë të parë, i qeverisë dhe i autoriteteve të tjera përkatëse. Pastaj u antarësuam në FMN dhe në Bankën Botërore, jemi në prag të anëarësimit në BERZH. Po ashtu kemi pranuar edhe Raportin e progresit të Komisionit Evropian, ku prezantohet suksesi i arritur i Kosovës, prezantohen edhe sfidat që janë edhe prioritete të qeverisë së Kosovës, por në të njejtën kohë, për herë të pare në historikun politik e shtetëror të Kosovës, u hap perspektiva evropiane për Republikën e Kosovën.

Për herë të parë në Kosovën e pavarur, organizuam zgjedhje të shkëlqyera, me një vlerësim shumë të lartë nga Uashingtoni dhe Brukseli. Prandaj ndjehem tepër krenar që i arritëm këto sfida, që i arritëm këto suksese, të cilat ishin një moment kthese për vendin tonë. Pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje ishte mesazhi më i mirë se në Kosovë po ndërtojmë një vend demokratik dhe shumëetnik e me perspektivë zhvillimi.

Kryeministër Thaçi, po përmendni shumë zhvillime të cilat, sipas jush, janë pikat më pozitive dhe më të ndritshme të funksionimit të Kosovës gjatë këtij viti. Po përmendni edhe numrat e njohjeve ndërkombëtare, por megjithatë nuk u arrit ai numri që do ta hapte rrugën që Kosova të bëhëj anëtare e OKB-së.

- Secili nga ne duhet ta kujtojë procesin e lirisë dhe të shtetndërtimit të Kosovës. Duhet që secili nga ne të mendojë se ku ishim dhjetë vjet më parë. Ishim në një gjenocid të paparë. E kaluam tranzicionin demokratik dhe arritëm që në mënyrë të koordinuar me Uashingtonin dhe Brukselin ta shpallin Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Natyrisht se edhe shpallja e pavarësisë edhe më vonë procesi i konsolidimit të shtetit tonë, nuk ka qenë një rrugë e shtruar me lule. Ka pasë një mbështetje shumë të fuqishme, por ka pasur edhe plot pengesa.

Unë mendoj se këto pengesa i kemi kapërcyer në mënyrë elokuente, me fitore hap pas hapi. Prandaj edhe çështja e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në një ose në një formë tjetër, e ka zvarritur procesin e njohjeve tjera. Por ajo çka është më e rëndësishme, është se edhe pse pesë vende të BE-së ende nuk e kanë njohur Kosovën, ne në vitin 2009 kemi arritur të sigurojmë një mbështetje unike dhe shumë koncensuale për perspektivën evropiane të Kosovës. Pra, ne presim që të kemi njohje të reja të Kosovës, edhe para prezantimit të opinionit nga Gjykata Ndërkombëtare, e posaçërisht pas saj.

Kryeministër po flisni për zgjedhjet lokale të Kosovës duke i cilësuar si një histori e suksesshme, por megjithatë ato ishin të rënda për sa i përket raporteve ndërmjet partnerëve të koalicionit në nivelin qendror, Lidhjes Demokratike dhe Partisë suaj Demokratike.

- Unë mendoj se kjo ka qenë prezantim i disa deklaratave më të egzagjeruara se sa duhet. Raportet nuk kanë qenë aq sensitive sa dukeshin. Ne kemi një proces bashkëpunimi dhe proces të ndarjes së përgjegjësive pushtetore, që është dëshmuar i suksesshëm në këto dy vite. Por në të njejtën kohë është edhe rivalitet, kjo në kuptimin e ideve, projekteve dhe koncepteve.

Ne duhet të mësohemi me angazhimet e shumanshme, me bashkëpunimin, por edhe me rivalitetin. Edhe brenda vetë një familjeje politike ka rivalitete të cilat duhen kuptuar si rritje të transparences, si ballafaqim idesh për ecje më të shpejtë dhe më të avancuar e më cilësore përpara. Prandaj gjithçka e shoh në suaza të normales, të rregullave demokratike dhe perspektivës së fuqizimit dhe profilizimit të skenës politike kosovare.

Po thoni se po forcohet partia juaj, Partia Demokratike?

- Më 15 nëntor dhe me 13 dhjetor ka folur dhe ka vendosur sovrani. Ai e shpalli PDK-në fituese të zgjedhjeve. Kjo, lirisht mund të them, edhe në nivel nacional, sepse morëm dhjetë pikë më shumë se sa partia e dytë. Në shumicën e komunave të Kosovës, në 16 prej tyre jemi fitues, ndërkaq në katër sosh do të jemi në bashkëqeverisje. Ky besim i qytetarëve të Kosovës në vizionin tim dhe të PDK-së, në njërën ose në formën tjetër, është edhe referendum për qeverisje të mirë në nivel nacional dhe nivel lokal. Por me këto zgjedhje, mbi të gjitha fitoi shteti i Kosovës, populli i Kosovës dhe të gjitha partitë politike. Dua të theksoj se edhe ndonjë lëshim që ka ndodhur gjatë procesit elektoral, është shumë i vogel dhe jo ndikues, në krahasim me suksesin historik që arritëm si shtet me organizimin e zgjedhjeve.

Mund të jetë forcimi i partisë suaj, arsyeja që ju të mos priteni mirë në një tubim jubilar të LDK-së? Atje jeni fishkëllyer.

- Vizioni im, që është edhe vizion i vullnetit qytetar të Kosovës, ka ngadhnjyer dhe do të ngadhnjejë mbi hedhjen e gurëve të oponentëve të mi politikë, apo edhe të fishshkëllimave po ashtu. Vizionin dhe konceptin tim nuk mund ta ndalin as gurët as fishkëllimat. Ai buron nga vullneti qytetar i Kosovës dhe është në mendjen dhe në shpirtin e tyre, dhe i falëndëroj për mbështetje të fuqishme.

Keni menduar se çfarë do të sjellë 2010-ta për ju?

- Do të sjellë fuqizim të shtetit të Kosovës. Do të sjellë perspektivë edhe më të fuqishme evropiane, zhvillim edhe më të fuqishëm ekonomik; krijimin e vendeve të reja të punës; rritje të mirëqenjës sociale; një fuqizim të rolit të Kosovës në strukturat ndërkombëtare dhe në të njejtën kohe integrim të institucioneve tona në gjithë mekanizmat relevantë ndërkombëtarë, brenda mundësive dhe potencialeve që kemi. Pra, viti 2010 do të jetë vit i zhvillimit ekonomik dhe integrimit evroatlantik.

Ka mundësi që 2010-ta të sjellë ndryshime në qeveri?

- Do të ketë ide të reja, freskime të reja, punë të përditshme për ndryshime edhe më të mëdha pozitive.

Cili do të ishte urimi juaj për festat e ndërrimit të viteve?

- Uroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë, për festat e vitit të ri me mesazhin për një harmoni më të madhe, për një suskes më të fuqishëm. Për të gjitha familjet, qytetarët dhe shoqërinë në përgjithësi urimet më të mira.

BBC

KOMENTE