English

Kryeministri Thaçi: Kosova në sprovat që e presin vitin e ardhshëm

Prishtinë, 29 Dhjetor - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një internistë që publikoi to VOA thotë se gjatë vitit që po vjen do të ketë një rifreskim të qeverisë së tij me përfshirje më të gjerë nga skena politike dhe shoqëria civile. Thaçi pohon se Kosova gjatë vitit 2010 ka shumë sfida dhe nuk ka kohë për eksperimente, duke hedhur poshtë mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme për pushtetin qendror.

Kosova po mbyllë vitin me një debat për procesin zgjedhor, i cili u vlerësua si një sprovë për shtetin e ri. A e kaloi shteti këtë sprovë?

Shteti i Kosovës, të gjitha partitë politike, institucionet, qytetarët e Kosovës e kanë kaluar këtë sprovë në mënyrë të shkëlqyeshme. Gjithë vëzhguesit vendor dhe ndërkombëtarë, gjithë përfaqësuesit diplomatik, kanë dhënë notën më të lartë për organizimin e zgjedhjeve të lira, të parat këto në Kosovën e pavarur. Pastaj edhe pjesëmarrja e minoritarëve, para së gjithash e serbëve, i ka dhënë një mesazh shumë domethënës këtij procesi elektoral i cili ka qenë i një standardi prej më të lartëve, mund të them edhe në rajon. Dhe nuk ishin të rastësishme edhe deklaratat e diplomatëve të ndryshëm edhe të Uashingtonit edhe të Brukselit se në Kosovë mund të lulëzojë demokracia dhe po lulëzon. Dhe ndjehem tepër mirë dhe krenar që vetëm dy vite pas shpalljes së pavarësisë, Kosova dha provimin më të rëndësishëm të arritjes së standardit politik e demokratik, organizimin e zgjedhjeve të lira, me një gjithëpërfshirje dhe pjesëmarrje masive të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Por, në planin e brendshëm, ka pasur një gjuhë të ashpër, jo karakteristike për zgjedhjet e kaluara në Kosovë. A e kanë dëmtuar procesin?

Hashim Thaçi: Duhet kuptuar bashkëpunimin e partive politike në aspektet e ndryshme të shtet ndërtimit dhe ndarjes së përgjegjësive pushtetare, por duhet kuptuar edhe rivalitetet në prezantimin e opinioneve, koncepteve, ideve të reja. Varet, kush se si i prezanton në opinionin publik. Kështu që, për mua, mund të them lirisht se ka qenë gjithashtu një garë më e avancuar, në kuptimin pozitiv më agresive. Por, sovrani ka folur, ka vendosur, e ka shpallur fituesin dhe edhe kësaj radhe fituese është PDK në kuptimin edhe nacional por edhe në kuptimin lokal dhe unë e vlerësoj se vota e qytetarëve të Kosovës, besimi i qytetarëve të Kosovës, besimi në vizionin tonë, ishte një besim që mund të them se u shndërrua në një referendum për qeverisjen e mirë edhe në nivel qendror edhe nivel lokal. Por, para së gjithash, fituan të gjitha partitë politike, fitoi standardi demokratik, fitoi populli i Kosovës.

Fillimi i vitit të ri juve do t'ju gjejë më një sprovë tjetër dhe ajo është mbajtja, funksionaliteti i kësaj qeverie, ose ndryshimi i saj...

Nuk do të thoja se është ndonjë sprovë në kuptimin e ekzagjerimit që mund ta prezantojë dikush. Kosova në vitin 2009 e ka kaluar në një konsolidim të fuqishëm institucional. Në vitin 2010 do të forcojmë këtë konsolidim. Do ta freskojmë me ide, projekte, njerëz të rinj, në përputhmëni me agjendën e qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucioneve tona. Para së gjithash në implementimin e sfidave që dalin edhe nga raporti i progresit, ku paraqiten të arriturat e Republikës së Kosovës edhe sfidat me të cilat do të ballafaqohemi. Por edhe perspektivës evropiane. Dhe një prej agjendave kryesore për qeverinë e Kosovës dhe të gjitha institucionet e vendit do të jetë perspektiva evropiane. Në këtë drejtim unë dua të besoj se do të kemi një angazhim të gjithanshëm, por edhe rritje të përgjegjësive edhe në kuadër të qeverisë, të parlamentit, të presidencës, të autoriteteve lokale në kuptimin e implementimit të plotë të kritereve të Kopenhagës që do ta afrojnë Kosovën edhe më tepër Brukselit.

Përmendët edhe rifreskimin edhe me njerëz të rinj. A do të thotë se duhet të presim ndryshime në qeverinë tuaj?

Në fakt ndryshime ndodhin çdo ditë, freskime ndodhin çdo ditë, ide të reja sillen çdo ditë, projekte të reja implementohen cdo ditë, por do të jetë paksa më i gjerë ky freskim. Do të jetë edhe me kualitativ edhe më gjithëpërfshirës në kuptimin e partive politike, shoqërisë civile por edhe personaliteteve me ndikim në opinionin publik kosovar dhe të dëshmuar në kuptimin e qeverisjes, në mënyrë që të gjithë të vihemi në shërbim të qytetarëve të Kosovës. Por, Kosova edhe në ta ardhmen edhe në vitin 2010 do të tregojë dhe do të dëshmojë kulturën e vet politike dhe shtet formuese.

Dhe në këtë vit, pra në 2010, a mund të ketë realizim të kërkesave për zgjedhjeve të parakohshme, për shkak të gjendjes në vend?

Kosova është vend prej më të stabilëve në kuptimin institucional në nivel të rajonit. Është shembull i bashkëpunimit por edhe rivaliteteve konceptuale. Shembull i bashkëpunimit për ndërtimin e shtetit dhe ndarjen e përgjegjësive pushtetare. Në anën tjetër edhe i debateve aktive, dinamike dhe shumë dobiprurëse politike që të ecet përpara edhe më shpejt. Në po hyjmë në vitin e tretë, mund të them, të pavarësisë së vendit tonë. Do të kemi institucione shumë stabile, efektive, rritje të transparencës, përkushtim të jashtëzakonshëm për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përkushtim për sundimin e plotë të ligjit, integrim të minoritarëve në të gjitha institucionet e vendit tonë. Pastaj do të ballafaqohemi suksesshëm me sfidën e veriut të Mitrovicës, që njerëzit të kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre. Në vitin 2009 kemi bërë një kthesë dramatike, në kuptimin më pozitiv të mundshëm dhe do të vazhdojmë me këtë agjendë. Do të kemi njohje të reja për Republikës së Kosovës, prandaj, askush nuk ka kohë për eksperimente, por për rritje të përgjegjësive shtetërore.

E përmendët çështjen e integrimin e pakicave dhe posaçërisht të veriut. Për pranverën e vitit të ardhshëm janë paraparë zgjedhje në veriun e Mitrovicës, a besoni se mund të realizohen?

Definitivisht mund të ndodhë dhe do të ndodhin. ne kemi krijuar një atmosferë, një klime mirëkuptimi, besimi. Dhe mesazhi i zgjedhjeve të 15 nëntorit dhe 13 dhjetorit, është shumë i qartë, se minoritarët duan të integrohen në institucionet e Republikës së Kosovës, se Prishtina është kryeqyteti i tyre. Kemi formuar katër komuna të reja, plotësisht legale dhe legjitime. Plotësisht në përputhshmëri me dokumentin e presidentit (Martti) Ahtisaari. Në ato komuna serbët dolën në zgjedhje, zgjodhën liderët e tyre për mandatin e ardhshëm katërvjeçar. Unë jam takuar me këta lider dhe do t'i mbështesë fuqishëm projektet e tyre të prezantuara para qytetarëve të tyre për një jetë të re., për rrugë të reja, shkolla të reja, ambulanca, spitale apo prioritete të tjera të cilat ata qytetarë dhe këta liderë kanë në fokusin e tyre. Prandaj, unë dua të besoj fuqishëm se do të vazhdojmë me sukses të njëpasnjëshëm.

I përmendët edhe mundësitë e afrimit më BE-në. Këto ditë patëm përfshirjen e vendeve fqinjë në procesin e liberalizimit, ndërsa Kosova po e vuan do të thosha një periudhë të izolimit të saj. Si ...?

Nuk do të thosha që Kosova është duke përjetuar izolim. Kjo nuk qëndron. Pse nuk qëndron? Për arsye se disa vende për 18 vite kanë punuar që të arrijnë në këtë pikë ku kanë arritur para një muaji. Ndërsa Kosova tash e dy vite është shtet i pavarur, sovran e demokratik. Mund ta imagjinoni se ku ka qenë Kosova vetëm para dhjetë vitesh? Në një gjenocid të paparë. Kaluam tranzizionin demokratik, shpallëm Kosovën shtet dhe fituam në mënyrë shumë meritore në tetor të këtij viti perspektiven evropiane, zyrtare, unike e konsensuale mbështetësve nga të gjitha vendet e BE-së. Prandaj, Kosova, sigurt dhe suksesshëm është duke ecur drejt integrimit edhe në strukturat e NATO-s edhe të Bashkimit Evropian.

Çfarë prisni nga viti që po vjen dhe çfarë duhet të presin qytetarët e Kosovës?

Pres konsolidim edhe më të fuqishëm institucional. Punë edhe me aktive të të gjitha institucioneve. Thellimin e reformave demokratike në legjislacion, ekonomi dhe politikë. Luftë të pa kompromis kundër dukurive negative. Sundim të plotë të ligjit. Integrim edhe më të fuqishëm të minoritarëve në institucione. Krijim edhe më të madh të vendeve të reja të punës dhe rritje të mirëqenies sociale të qytetarëve dhe perspektive të sigurt evropiane.

FUND

KOMENTE