Shkup, 29 dhjetor, NOA - Fundviti ka shtuar zërat për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe se opozita ka drejtuar gishtin tek kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, të cilin sërish e sheh si kreator të zgjedhjeve të parakohshme për shkak të humbjes së besueshmërisë së tij dhe të partisë që drejton brenda një periudhe të shkurtër.
Edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në Shkup janë të gatshëm që të lejojnë një cikël të ri zgjedhor në Maqedoni, për shkak të bllokadës së krijuar të proceseve euroatlantike, pas këmbëngulësisë së pushtetit aktual të udhëhequr nga VMRO-DPMNE në të gjitha nivelet për mos ndryshimin e emrit të shtetit, në kontestin me Greqinë.
Burime diplomatike kanë bërë të ditur se zgjedhjet janë të pashmangshme, për shkak të bllokadës së kontestit të emrit. "Jemi të vetëdijshëm për bllokadën e krijuar të proceseve euro-integruese. Kjo ka ndikuar që vendi të çalojë edhe në sferat e tjera dhe të thellohet kriza e brendshme.
Prandaj nuk mund të përjashtohen zgjedhje të parakohshme në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm", ka theksuar një diplomat perëndimor duke mos bërë të ditur detaje të tjera. Në zyrën e BE-së në Shkup zyrtarisht nuk kanë dashur të komentojnë zhvillime të tilla lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Lëvizjet e fundit të qeverisë, me miratimin e pakove sociale dhe shpërblimeve të ndryshme për pensionistët, sportistët e rinj, banesat për ushtarakët, pakot sociale për përballimin e çmimit të energjisë për të varfrit janë gjitha këto që Gruevski i bën, që gjatë vitit 2010 të përgatitet për ballafaqim në zgjedhje të parakohshme,duke pasur parasysh lëkundjen e besueshmërisë së tij politike.
Vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme dje sërish ka përsëritur kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi. "Unë besoj se do të ketë zgjedhje të parakohshme sepse shumë shpejt po i bie besueshmëria qeverisë. Për shkak të kësaj, VMRO-DPMNE do të shpejtojë të sigurojë mandat të ri", ka theksuar kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.
Edhe në LSDM kanë theksuar se masat e fundit promovuese të qeverisë, vetëm nëpërmjet fushatave dhe asgjë në praktikë, sipas tyre janë shembuj klasik për hyrje në fushatë parazgjedhore.
"Gruevski të zgjidh problemet e vërteta dhe kyçe në vend dhe jo të merret me projekte parazgjedhore për të mashtruar popullin", ka theksuar shefja e grupit parlamentar të LSDM-së, Cvetanka Ivanova. LSDM nuk ka përjashtuar zgjedhjet e parakohshme, mirëpo kjo parti po synon që ato të mbahen nga fundi i vitit të ardhshëm. Ndërkohë, në BDI theksojnë se nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme dhe se sipas tyre, në kuadër të koalicionit nuk është biseduar diçka e tillë.
Sipas qarqeve analitike maqedonase, edhe vizita e fundit e Gruevskit në Kanada dhe Australi ishte një shenjë se pushteti aktual përgatitet për zgjedhje të parakohshme, duke shpresuar edhe në votat e diasporës, e cila nga 1 shtatori ka përfituar të drejtën e votës, me çrast do të zgjidhen tre deputetë nga diaspora për në Parlamentin e Maqedonisë. Në rast se do të mbahen zgjedhje të reja të parakohshme, atëherë ato do të jenë të dytat, pas mbajtjes së atyre në qershor të vitit 2008.
Zgjedhjet e reja të parakohshme do të vijnë sërish me iniciativë të VMRO-DPMNE-së, e cila e bën këtë për shkak të rënies së besueshmërisë së saj gjatë dy muajve të fundit.
NOA-INA