Tiranë, 29 Dhjetor NOA - Kompania AMC, për të dytin vit radhazi, do t'u dhurojë fëmijëve me probleme shëndetësore një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave që do të grumbullohen nga dërgimi i SMS - ve me urimet e fundvitit. Pjesë nga të ardhurat e SMS - ve që të gjithë abonentët AMC do të dërgojnë nga ora 20:00 e datës 31 dhjetor deri në orën 08:00 të 1 janar 2010, do të dhurohen për të përmirësuar jetën e fëmijëve në nevojë.
Mesazhet që do të shkëmbehen natën e ndërrimit të viteve do shndërrohen në mesazhe shprese për shumë fëmijë që kanë nevojë, në të gjithë vendin.
Kjo fushatë bën pjesë në programin "Pjesëmarrje" të kompanisë AMC, program që ka në fokus përgjegjësinë sociale të saj.
Në këtë kuadër, AMC shpërndau për të tretin vit dhurata në qendrat e të moshuarve dhe shtëpitë e fëmijëve në mbarë vendin.
Fëmijët si dhe mbrojtja e përmirësimi i cilësisë së jetës së tyre, si një nga objektivat e programit social të AMC-së, janë në të njëjtën kohë një angazhim i saj edhe për vitet që vijnë, pohon zyra e shtypit për kompaninë celulare.
e.r/NOA