Tiranë, 29 dhjetor NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vizitoi sot Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve me rastin e Festës së Hashures. Pasi u takua dhe u përshëndet me Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhi dhe krerët e tjerë bektashinj, Presidenti Topi përcolli përmes mediave të pranishme, urimet e tij për të gjithë besimtarët bektashinj shqiptarë kudo ata ndodhen.
"Padyshim që këtë urim e jap për të gjithë besimtarët bektashinj.
Është një ditë e shënuar, dhe jo vetëm për ta, por për të gjithë besimtarët shqiptarë, të cilët festojnë festat e njëri tjetrit. Është edhe në prag të festës së vitit të ri, kështu që jemi në një atmosferë festash. U urojmë të gjithëve të kenë paqe, harmoni, shëndet sigurisht dhe besoj që të gjitha në funksion të një Shqipërie më të bukur!" tha Presidenti Topi.
k.k/NOA