English

Rama: Kulmi i krizës, Berisha po flet për suksese imagjinare

Tiranë, 29 dhjetor, NOA Update- Kryeministri Berisha flet për suksese imagjinare të qeverisjes së tij, në një kohë kur vendi gjendet i zhytur në një krizë të thellë ekonomike dhe politike. Një fakt të tillë e ka deklaruar gjatë një konference në përgjigje të arritjeve që përmendi dje Berisha për 100 ditëshin e parë të qeverisjes, kreu i opozitës, Edi Rama.

"Sipas INSTAT, që është bërë njësoj si TVSH për deklaratat e qeverisë, rritja ekonomike është më e ulëta që nga viti 1997. Ekonomia jonë ka hyrë në një krizë të pashoqe, më e madhe nga sa thotë INSTAT", tha Rama.

Më pas, ai shtoi se rënia e hyrjes së valutës do të paralajmërojë kohëra të zymta në janar.

"Duke iu referuar raportit të Eurostatit, fuqia blerëse e shqiptarëve është më e ulëta, 25 %. Më e ulët edhe se e vetë Bosnjë-Hercegovinës me 30 %", vuri në dukje më pas Rama.

Në fund, ai deklaroi se kjo qeveri e palegjitimuar nga zgjedhjet, e cila është shpallur rrezik kombëtar nuk ka asnjë të përbashkët me qeveritë evropiane.

"Berisha e fsheh me fjalë, por nuk e fsheh dot më krizën para fakteve. De fakto jetojmë përditë në kushtet e një grushti shteti, nga një qeverisje të kthyer në një regjim", u shpreh ai.

n.e/NOA

KOMENTE