English

Dekada 1999 - 2009

Nuk ka edhe një 10 vjeçar tjetër në historinë tonë që ka sjell kaq shumë ndryshime. Tash, po futemi në një dekadë të re. Një fjalor tjetër do të na ndjekë në 10 vjetët e ardhshme. Nëse nuk besoni, flasim prapë në vitin 2020

Nga Berat Buzhala

Me të gjitha të zezat brenda saj, dekada të cilës po ia mbyllim derën, është më fatlumja për historinë e Kosovës. Nuk ka edhe një 10 vjeçar tjetër në historinë tonë që ka sjell kaq shumë ndryshime. Në fakt, në vitin 2009 ndryshojmë si dita me natë prej vitit 1999. Gati nuk jemi ne ata që ishim. Në gjysmën e dytë të vitit 1999, dy milionë shqiptarë të Kosovë, pos që kanë qenë njerëz të pastrehë, kanë mundur të konsiderohen edhe si njerëz që mund t'i qëllosh me plumb, sikur lepujt gjatë sezoneve të gjuetisë. Dikur kah qershori i vitit 1999, ishte mbyllur sezoni i gjuetisë kundër shqiptarëve. Ne ishim një shoqëri e traumatizuar. Qanim, e edhe sot pak ngushtohemi emocionalisht, kur e shohim një pamje në Gjakovë, se si një burrë gjuhet mbi makinën ushtarake të trupave të KFOR'it dhe bërtet me sa ka në krye "NATO, NATO". Ngushtohemi kur na kujtohen këto pamje, sepse ne në atë kohë, pa dallime klasore, kemi qenë afër zhdukjes. Pastaj, së bashku me lirinë, Babadimri na e solli një kaos spektakular. E mbaj mend ndërrimin e motmoteve 1999 - 2000, kur minoritet ishin ata që festonin me fishekzjarrë, e shumicë ishin ata që në dritare i nxjerrin revolet, kallashnikovët, e pa e ekzagjeruar aspak ka pasur raste që edhe minahedhësit janë përdorur në fshatra të thella, për ta kremtuar kalimin prej një viti të vjetër në një vit të ri. Mos harroni se prej qershorit 1999, deri me 31 dhjetor 1999, në vendin tonë në mënyra të ndryshme ishin vrarë 400 - 500 qytetarë. Vazhdojmë tutje. Viti 2000, për nga brutaliteti ka qenë po aq i përgjakshëm. Në prita të ndryshme, në dasma, në festa, në mina të pashpërthyera dhe në forma tjera monstruoze, janë vrarë mbi 600 kosovarë të tjerë. Formalisht nuk ishim në gjendje lufte, por bilanci ishte i denjë për luftë. Vendi ynë ishte shndërruar në një kazan të madh eksperimental. Dhjetëra mijëra trupa ushtarake, qindra misione humanitare, dhjetëra misione diplomatike kishin zbarkuar në Prishtinë. Këtu i prisnin disa qeveri vendore, që dukeshin si mos më keq dhe lloj-lloj lideri krahinor e nacional. Sot, në fund të vitit 2009, shumë pak prej jush e njihni më emër komandantin aktual të trupave të KFOR'it, ndërsa jam i bindur që ju ende i mbani mend emrat e komandantëve të KFOR'it që kanë qenë këtu menjëherë pas luftës. Ndërrimi i një komandanti të KFOR'it deri vonë ka qenë ngjarje kombëtare. Mediat shkruanin me javë të tëra se kush do të vijë, e kush do të shkojë. Sot, palla nuk i ha askujt. E sidomos i mbani në mend emrat e Kryeadministratorëve, që më apo pa të drejtë na trajtonin si pacientin mjeku. Kur hidhëroheshin me neve, na shanin hapur, ndërsa kur donin të na merrnin më të mirë, e futnin nga një plis në kokë, e thoshin ndonjë fjalë shqip. Prej kësaj perspektive, e gjithë kjo skenë dhe e gjithë kjo skemë duket neveritëse. Sepse, jemi rritur pak. Pasi e kaluam një fazë ku Kosova do të mund të konsiderohej si një Kopsht i madh Zoologjik, pa pikë shprese, por të sigurt, po futeshim në një periudhë të pashpresë dhe monotone. "Standardet për Statusin" dhe "Standardet para Statusit" ishin togfjalësh që na ndiqnin për disa vite më radhë. Përveç kurseve edukativo-politike, po na ndiqte edhe Tribunali i Hagës, Krimet e Luftës dhe të Paqes. Ne ishim krejtësisht në defansivë dhe në depresion. Arroganca e vitit 1999, liderëve po u kthehej hundeve. Në vitin 1999, liderët tanë parimisht thoshin "Jo" për çdo gjë, mandej filluan të thonë parimisht "Po" për çdo gjë. Mjegulla për statusin vetëm shtohej. Pa zgjidhjen e statusit, shpresa për përmirësim domethënës të jetës së qytetarit, ishte e pamundshme. E statusi nuk mund të zgjidhej, e as ekonomia nuk mund të përmirësohej. Kjo gjendje do të vazhdonte edhe më gjatë, nëse në marsin e vitit 2004 turma të qytetarëve të frustruar të mos e çonin vendin peshë. Për arsye të gabueshme, rebelimi i vitit 2004 doli i qëlluar. E bindëm bashkësinë ndërkombëtare, e bashkë me bashkësinë ndërkombëtare edhe vetën, se status-quo nuk mund të vazhdonte pambarimisht. Si rrjedhojë, Kai Eide, një i dërguar i OKB'së, e bëri raportin e tij, ku kërkonte formësimin e agjendës për zgjidhjen e statusit final të Kosovës. Një dritë shprese në fund të tunelit të gjatë e të errët. Jeta politike kishte filluar të bëhej më dramatike dhe më atraktive. Dikush formonte parti politike, e dikush fliste prej margjinave. E rëndësishme ishte që po shtoheshin zërat që kërkonin qartësi për fatin e vendit. Teorikisht, ekzistonin disa mundësi për statusin final të Kosovës, por praktikisht të gjithë e dinin se veç pavarësisë të gjitha alternativat tjera ishin të përgjakshme. Kjo edhe ndodhi me 17 shkurt të vitit 2008. Një rrëfim ky, që mban edhe emrin e Martti Ahtisaarit. Një zyrtar i Forcave të Armatosura të Kosovës, më tregoj një ditë për një bisedë që kishte pasur me një oficer të Britanisë së Madhe, që ishte kthyer në Kosovë pas 9 vjetësh. "Ky vend ka ecur shumë, edhe pse ende jeni shumë larg". Absolutisht e vërtetë. Natën e 31 dhjetorit, shumica e qytetarëve do të festojnë me fishekzjarrë, e vetëm ndonjë i çmendur me armë zjarri. Tash po futemi në një dekadë tjetër. Kjo nuk do t'i përngjajë as për së afërmi kësaj që po lëmë prapa. Nuk do të flasim më për statusin final, por për liberalizimin e vizave dhe për Bashkimin Europian. Nuk do të flasim më për krimet e luftës, por për të drejtat e njeriut. Më pak fjalë, krejt një tjetër fjalor do të na ndjekë në 10 vjetët e ardhshme. Nëse nuk besoni, flasim prapë në vitin 2020.

(*) Kryeredaktor, "Express", Prishtinë

KOMENTE