Durrës, 30 dhjetor NOA - Policia e Durrësit ka marrë masa me qëllim ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë festave të fundvitit.
"Shërbimet e Policisë së Durrësit do të kalojnë në shërbim të përforcuar me qëllim vënien në efiçencë maksimale të efektivave para, gjatë dhe pas periudhës së festave të fundvitit, zhvillimit normal të aktiviteteve, rritjes së sigurisë në rrugë e ambientet publike, krijimit të kushteve sa më optimale për zhvillimin e aktiviteteve festive, parandalimit të ngjarjeve aksidentale apo kriminale, përballimit të situatave që mund të krijohen për shkak të fluksit të madh të emigrantëve që vijnë për të kaluar festat në Shqipëri.
Krahas planeve të masave nga çdo sektor e komisariat, vetëm për natën e ndërrimit të viteve, në bashkëpunim edhe me institucionet e pushtetit vendor është hartuar një plan i posaçëm masash që synon mbarëvajtjen e aktiviteteve festive" bëri të ditur sot Policia e Durrësit.
Policia ka marrë masa edhe për parandalimin e ngjarjeve aksidentale nga përdorimi pa kriter i fishekzjarrëve.
Për këtë arsye policia po bashkëpunon me organet e Tatim-Taksave e Policisë Bashkiake në drejtim të kontrollit të licensimit të subjekteve që merren me prodhimin, eksportimin e importimin e lëndëve piroteknike (fishekzjarrë dhe kapsolla plasëse) si dhe në drejtim të zbatimit të rregullave të administrimit, ruajtjes e tregtimit të tyre për përdorim civil.
Janë parashikuar masa ndëshkuese ndaj përdoruesve të fishekzjarrëve që paraqesin rrezikshmëri për jetën e shëndetin e njerëzve si dhe ndaj atyre me veprim të fortë akustik e verbues, duke gjobitur personat përgjegjës apo prindërit e tyre nëse këta të fundit janë të mitur.
Në funksion të parandalimit të ngjarjeve kriminale, përparësi policia i ka dhënë zonave me të frekuentuara nga publiku si tregje, qendra tregtare, banka, pika të këmbimit valutor, agjenci të ndryshme, etj.
"Është përforcuar puna në drejtim të mbajtjes nën kontroll të personave me precedent kriminal si dhe të evidentimit të konflikteve të mundshme nga persona që kthehen nga jashtë shtetit.
Një patrulle Policie është parashikuar pranë Spitalit të Durrësit me qëllim kryerjen në kohë të veprimeve proceduriale në rast ngjarjesh kriminale apo aksidentale" thuhej në deklaratën e policisë së Durrësit lëshuar ditën e sotme.
k.k/NOA