English

KQZ vendos për rinumërimin e votave në Gjilan më 6 janar

Prishtinë, 30 dhjetor, NOA -Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka bërë gati planin operativ për hetimin dhe rinumërimin e votave për komunën e Gjilanit. Data e caktuar për këtë proces nga ekspertët është 6 janari dhe bëhet me dijeni se do të jetë i hapur edhe për vëzhguesit e partive politike, por edhe për mediat në Kosovë.

Sipas një plani të hartuar edhe në bashkëpunim me përfaqësuesit e Fondacionit Ndërkombëtar për Sisteme Elektorale (IFES) dhe të atyre të USAID-it, do të rinumërohen fletëvotimet për Gjilanin, të cilat gjenden në rreth 130 kuti të votimit në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve.

Vendimi i KQZ-së për zhvillimin e hetimeve dhe rinumërimin e votave për komunën e Gjilanit ishte marrë pas udhëzimit të Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa drejtuar këtij institucioni, për të shpallur rivotim në Prizren, Lipjan e Gjilan. Për dy komunat e para, KQZ-ja kishte vendosur përsëritjen e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, që do të bëhet më 31 janar të vitit të ardhshëm, ndërsa rivotimi për Gjilanin do të shpallet eventualisht nëse, siç thuhet, hetohen parregullsi dhe shkelje të mëdha gjatë rinumërimit të votave për këtë komunë.

n.e/NOA

KOMENTE