Tiranë, 30 dhjetor NOA - Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, mori pjesë sot, në ceremoninë e ndarjes së çertifikatave për 375 kursantët që përfunduan me sukses kursin IX të shkollimit bazë, në Qendrën e Formimit Policor.
Për njëmbëdhjetë javë me radhë, gjatë periudhës 12 tetor deri më 30 dhjetor 2009, janë trajnuar pranë kësaj Qendre punonjës të policisë të nivelit zbatues, të gradave inspektor dhe kryeinspektor. "Ne vlerësojmë dhe vazhdojmë të jemi të bindur se shërbimi policor i orientuar për nga qytetari është ajo çka komuniteti pret nga ne.
Dhe ne besojmë që kemi gjetur rrugën e përshtatshme për përmirësimin e profesionalizmit në polici nëpërmjet një sistemi trajnimi të përshtatshëm dhe efikas" theksoi gjatë fjalës së tij përshëndetëse Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Burgaj ka garantuar të pranishmit për mbështetjen e vazhdueshme të trajnimeve bazë për punonjësit e policisë, si dhe zhvillimin e një sistemi trajnimi të modeluar sipas praktikave më të mira perëndimore, të aftë për t'iu përgjigjur nevojave profesionale të organizatës. "Që sot, pothuajse gjysma e numrit të përgjithshëm të punonjësve të policisë të nivelit zbatues që shërben si patrullë e përgjithshme, ka përfunduar trajnimin bazë dhe është e gatshme që të shërbejë sipas koncepteve të reja. Që sot balanca e shërbimit policor do të zhvendoset më dukshëm për nga modelet moderne të policimit. Duke shfrytëzuar këtë rast, dua të them që edhe në këtë fundviti, në ditët e ndërrimit të viteve policia e shtetit do të vazhdojë të jetë në shërbim, me njerëz të pajisur me koncepte të reja dhe më një shërbim më cilësor për qytetarin" theksoi Burgaj. Me këtë rast, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka falenderuar për mbështetjen e madhe dhe asistencën e dhënë nga partnerët ndërkombëtar, veçanërisht nga programi ICITAP për trajnimin bazë.
k.k/NOA