Tiranë, 30 dhjetor, NOA Nga Milena Selimi - Data e sotme shënon edhe aktivitetin e fundit për këtë vit në TKOB, me "Grand Ballo në Opera", e cila ka hyrë tashmë në traditën e adhuruesve të muzikës, si përshëndetja e fundvitit me publikun. Në program përmbahen pjesë koreografike dhe orkestrore të traditës vjeneze si dhe vepra solistike dhe korale, valse e vallëzime bashkëkohore për publikun.
Ndërsa Teatri i Metropolit rikthen në sallën e teatrit, "One man shoë", me shfaqjen "Drejt lirisë", me regji nga Robert Budina, në interpretimin e aktorit Erand Sojli.
Mbrëmë në darkë publiku i kryeqytetit ndoqi premierën "Drejt lirisë", një satirë e shkruar nga Erand Sojli, që tregon përpjekjet e shqiptarëve gjatë këtyre 20 viteve të fundit.
Një vepër satiriko-komike, një situatë me disa personazhe, të cilët kërkojnë të largohen jashtë vendit, peripecitë e tyre për t'u pajisur me vizë, vështirësitë e udhëtimit etj.
Në mbërritjen në vendin e huaj shpaloset realiteti i ri, i ndryshëm nga të gjitha përfytyrimet e tyre, me të cilin ata duhet të përshtaten dhe të integrohen. Mosarritja e qëllimit i çon personazhet drejt kthimit në atdhe.
Materiali ishte interesant për publikun dhe u mirëprit nga spektatori, I cili duartrokiti gjatë shfaqjes. Idetë vendosen dhe zhvillohen gjatë interpretimit nga Erand Sojli, ndërsa ka një ndërveprim me publikun, për të arritur qëllimin final, që mbetet argëtimi, nëpërmjet humorit dhe autoironisë.
Publiku merr gjatë 90 minutave atë mesazh që do t'i jepnin qindra romane për t'u lexuar.
Pjesa është e ndërtuar me shumë fantazi që të surprizon dhe në çdo moment e kap publikun në befasi.
Premiera do të shfaqet edhe në datën 30 dhjetor 2009 në Teatrin e Metropolit.
Më pas shfaqja "Drejt lirisë" do të udhëtojë në një turne nëpër Shqipëri , Kosovë dhe Maqedoni.
Vepra satiriko-komike në stilin e "One man shou" do të rikthehet për publikun në muajin shkurt 2010.
Â
Â
Â