Në fundvit, kur bëhen balancet e vitit që po lëmë pas dhe ëndërrohet për vitin që vjen, më lejoni t'ju drejtohem me disa rreshta rreth të bërave tona dhe të pathënave, rreth perspektivave tona në këto kohë të vështira dhe sfiduese
Artan Grubi*
Le të bëhet ky vit më i mirë se të gjithë të kaluarit. Le t'i vendosim qëllimet tona mjaftueshëm lartë sa për të na frymëzuar dhe mjaftueshëm ulët sa për të na inkurajuar.
Në fundvit, kur bëhen balancet e vitit që po lëmë pas dhe ëndërrohet për vitin që vjen, më lejoni t'ju drejtohem me disa rreshta rreth të bërave tona dhe të pathënave, rreth perspektivave tona në këto kohë të vështira dhe sfiduese.
Po lëmë pas një vit shumë sfidues për shqiptarët në Maqedoni. Edhe një vit tjetër kaloi në të cilin shqiptarët nuk arritën dot ta realizojnë barabarësinë me komunitetin shumicë të garantuar me kushtetutën e vendit. Edhe një vit në të cilin shqiptarët nuk arritën ta marrin hisen e vet. Edhe një vit kur shqiptarët kënaqen kur marrin atë që duhet t'ju takojë natyrisht pa e kërkuar fare. Por ky vit pa edhe frutet e para të punës së ZGJOHU! dhe mediave shqiptare nëpërmjet vetëdijësimit të votuesve shqiptarë dhe bashkimin e tyre si asnjëherë më parë në betejën kundër enciklopedisë. dhe diskriminimit permanent.
Por le të përmendim disa nga aktivitetet tona. Në fillimvit, Shkupi frymëzoi dy manifestime kombëtare si shënimi i tretë rradhazi i përvjetorit të vdekjes së kryetrimit shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. dhe Akademinë Solemne "Dita e Plisit" me rastin e njëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Të dyja këto manifestime morrën përmasa kombëtare, nëpërmjet jehonës në Tiranë dhe Prishtinë dhe u pritën jashtëzakonisht mirë nga qytetarët. Ngritëm edhe iniciativë në Gjykatën Kushtetuese kundër ndërtimit të kishës ortodokse mbi shtëpinë e lindjes së Nënës Terezë dhe protestuam në inaugurimin e falsifikimit të trashëgimisë kulturore dhe kombëtare shqiptare nëpërmjet dislokimit të shtëpisë së familjes Bojaxhiu. U mposht edhe Ligji diskriminues për Natalitet!
Muaji mars na përballoi me sfidën e zgjedhjeve lokale dhe presidenciale. Zgjedhje të para këto pas masakrimit të votës së lirë dhe demokracisë në zgjedhjet e 1 qershorit 2008. Lëvizja ZGJOHU! vendosi që mos të rrijë duarkryq dhe të kontribuojë në shfarrosjen e dhunës zgjedhore ndërmjet partive politike shqiptare. Konsideruam që këto incidente ishin të frymëzuara nga qarqe të caktuara të cilët i shfrytëzojnë shqiptarët si fajtorë kryesorë për dështimet e shtetit. Për fat të keq, gjithmonë gjenden shqiptar që për interesa meskine i mbështesin këto skenare.
Lëvizja ZGJOHU! vendosi bashkëpunim të drejtpërdrejt me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nëpërmjet fushatës vetëdijësuese zgjedhore "Ti Vendos" e cila u përkrah edhe nga mediat shqiptare. Me krenari konstatojmë që dhamë kontribut instrumental në mbarëvajtjen e zgjedhjeve, por edhe në vetëdijësimin e votuesit shqiptar. Filluan të shihen frutat e punës tonë dhe për herë të parë ishim dëshmitar të votimit preferencial të shqiptarëve përkundër udhëzimeve partiake dhe ky fakt duhet t'i këndjell partitë tona politika. Gjërat po ndryshojnë!
Shkupi në mënyrë madhështore festoi hyrjen e Shqipërisë në NATO dhe rradhitjen përfundimtare të shqiptarëve me civilizimin perendimor. Rrjeti i Organizatave Shqiptare (RrOSh), ku bën pjesë edhe ZGJOHU!, shënoi përvjetorin e Lidhjës së Prizrenit duke e skuqur kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve me flamuj kombëtar. Shkupi gjithashtu mirëpriti aktivistët shqiptar nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, Çamëria në konferencën e tretë të RrOSh. Gjithashtu shënuam përvjetorin e Kongresit të Manastirit dhe Ditën e Flamurit me manifestime dinjitoze si dhe promovuam këngën "Shkupi, Tirana, Prishtina".
Krahas këtyre aktiviteteve dhe shumë reagimeve tjera, shqipërimi jonë u sfidua në çdo çast të këtij viti ashtu si edhe në dy vitet e kaluara. Na ndodhi suspendimi i demokracisë konsensuale, rrënimi i komitetit për marrëdhënie ndëretnike, gërmimet përjashtuese në Kalanë Ilire të Shkupit ku sot paralajmërohet ndërtimi i një kishe ortodokse, falsifikohet shtëpia e lindjës së Nënës Terezë, miratohet ligji diskriminues për natalitet, buxheti finanson kisha dhe buste sllave, shqiptarët nuk arritën të marrin më tepër se 7% të buxhetit shtetëror krahas kontributit 30 përqindësh në të njejtin, shuhet Nota Festi, kemi pjesëmarrje mospërfillëse në politikën e jashtme të vendit dhe të sigurisë, kalkulohet me pafajsinë e dëshmuar të Sopotasve, vrasje dhe bastisje terorizuese në Haraçinë, Kumanovë, Çair, probleme me rregjistrimin e nxënësve shqiptar në arsimin fillor dhe të mesëm, probleme me evidencën në shkolla, na u shfaq Falsikopedia dhe albanofobia në sheshin e Shkupit dhe në Nerez, u ushtrua kulturocid ndaj kulturës shqiptare edhe kur festoheshin të arriturat shtetërore, po kalojmë në vitin 2010 me muzikë serbe gjersa kënga shqipe mbetet e padëshirueshme, bile edhe nga babadimrat në shesh.
Plagë e hapur për shqiptarët në Maqedoni vazhdon të jetë hapërimi individual edhe në raste kur sfidohen interesat kombëtarе. Por ama, ky vit ishte dëshmitar edhe i unifikimit të hapësirës politike, civile dhe mediatike shqiptare nën kushtrimin e ZGJOHU! për t'a luftuar Enciklopedinë famëkeqe duke filluar nga shkallët e vendit të krimit. U bashkangjit edhe Tirana dhe Prishtina. U bëmë NJË. Fituam.
Shqipërimi jonë duhet të realizohet në NJË frymë, i madh e i vogël, gra e burra, parti dhe organizata, media dhe intelektual, le të bëhemi NJË. ZGJOHU! asnjëherë nuk do të merr pjesë në fushatën për fragmentimin e faktorit politik dhe civil shqiptar. Detyrë e jona është të nxisim proçese dhe të forcojmë integritetin e politikbërjes shqiptare. Detyra e jonë është ta largojmë eliten shqiptare nga politika provinciale dhe t'a marrim hisën tonë në politikën qendrore si minimum i të arriturave tona. Mund ta fillojmë këtë proçes duke u bashkuar rreth gjërave të përbashkëta si flamuri, gjuha, kultura, arsimi, të qenurit shqiptarë. JEMI NJË!
Konfuçi thotë që njeriu i madh është modest në fjalët e tij, por i tejkalon ato nëpërmjet veprave të tij. Andaj, le t'i përvjelim mangët të gjithë bashkë në 2010. Le të bëhet ky vit më i mirë se të gjithë të kaluarit. Le t'i vendosim qëllimet tona mjaftueshëm lartë sa për të na frymëzuar dhe mjaftueshëm ulët sa për të na inkurajuar.
Gëzuar shqiptarë kudo që të jeni!
(*) Lëvizja Qytetare ZGJOHU! Shkup