Tiranë, 31 Dhjetor NOA - Thirrjes së Bashkisë së Tiranës për të gjelbëruar kryeqytetin i është bashkuar një kompani private e njohur në kryeqytet. Në vazhdën e aksionit një qytetar një pemë, kjo kompani dhuroi 20 rrënjë gështenja të cilat u mbollën nga punëtorët e ndërmarrjes së gjelbërimit në një prej rrugëve të njohura të Tiranës.
Përfaqësuesja e kompanisë deklaroi se ndonëse simbolik, ky aksion do të përmirësojë sadopak cilësinë e ajrit në Tiranë.Â
"Më ka ardhur në mendje një shprehje e njohur që në jetë duhet të bësh tri gjëra me vlerë, të bësh fëmijë, të ngresh një shtëpi dhe të mbjellësh një pemë, ndaj jam e kënaqur që sot u japim fëmijëve sadopak ndihmë për të thithur ajër të pastër falë gjelbërimit të rrugëve", thotë Greta Xhaferraj, përfaqësuese e British American Tobacco Shqipëri-Kosovë.
Bashkia e Tiranës ka vendosur që edhe për vitin 2010 të vazhdojë projektin për gjelbërimin e Tiranës për ta shndërruar kryeqytetin në model të pastërtisë.
Aksioni për rivitalizimin e Parkut të Madh të Tiranës është një ndër prioritetet e Bashkisë së Tiranës dhe që përveç të tjerave synon një transformim rrënjësor edhe nga pikëpamja cilësore, ekologjike, e mjedisore e kësaj arterie të kryeqytetit.
Procesi i gjelbërimit të Parkut të Madh të Liqenit do të sjellë një transformim të hapësirës përreth, duke bërë që Parku i Liqenit të bëhet një mushkëri e gjelbër dhe tërësisht e ripërtërirë e kryeqytetit si dhe një model i ekuilibrit të qytetit me natyrën e një hapësirë ku qytetarët e të gjitha moshave, familjarët, më të moshuarit, fëmijët të kenë vendin e tyre, të kenë mundësi të shpenzojnë në mënyrën më të shkëlqyer kohën e tyre.
Rehabilitimi i Parkut të Madh të Liqenit, përveçse një projekt mjedisor, përfshin ndër të tjera edhe rindërtimin e rrugëve të brendshme, rikompozimin e ndriçimit publik, ripropozimin e të gjithë pasqyrës ujore si dhe një seri projektesh që propozojnë një metodologji e qasje te integruar dhe të re, duke pasur në vëmendje edhe aspekte të tilla si: respektimi i traditës, kulturës lokale, përmirësimin e cilësisë së ambientit, për një qytet të shëndetshëm, për një ajër më të pastër, për një mjedis më të ekuilibruar, pra për një hapësirë dhe një park të standardeve evropiane.
/blerina ahmetaj/e.r/NOA
Â