English

Konstituohet përbërja e re e Kuvendit Komunal të Vushtrrisë

Vushtri, 31 Dhjetor NOA - Në Vushtrri është bërë konstituimi i përbërjes së re të Kuvendit Komunal. Fjalën hyrëse e ka mbajtur kryesuesi i deritanishëm i KK-së Ferit Idrizi, i cili e ka hapur këtë seancë solemne, më pas kanë folur edhe kryetari i rizgjedhur i komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, i cili ka përmendur të arritur dyvjeçare të kësaj komune si dhe është angazhuar para të pranishmëve se premtimet e tija do t'i realizojë gjatë mandatit katër vjeçar.

"Banorët e qytetit dhe të fshatrave të Vushtrrisë do të kenë kushte më të mira për jetë, ne do të vazhdojmë me realizimin e projekteve", tha në mes tjerash kryetari Bajram Mulaku.

Ndërsa i pranishëm në këtë mbledhjeve solemne ishte edhe Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati i cili i ka uruar anëtarët e rinj të Asamblesë Komunale të Vushtrrisë si dhe kryetarin Mulaku. Më pas ka vazhduar betimi i kryetarit dhe këshilltarëve.

Sipas votave të fituara në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit 2009 përbërja e Kuvendit Komunal të Vushtrrisë duket kështu: 15 ulëse ka Partia Demokratike e Kosovës(PDK), 7 Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK),7 Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK), 2 Aleanca Kosova e Re(AKR),1 Lëvizja për Bashkim(LB),1 Lidhja Demokratike e Dardanisë(LDD), 1 Partia e Drejtësisë(PD),1 Kosova Demokratik Turk Partisi(KDTP).

Hajdin Islami/e.r/NOA

KOMENTE