Tiranë, 31 dhjetor NOA - Kryeministri, Sali Berisha ka uruar sot të gjithë shqiptarët Vitin e Ri 2010.
"Të dashur qytetare e qytetarë shqiptarë, bashkëkombëse dhe bashkëkombës të mi, kudo që ndodheni!
Ora me akrepat e saj do të shënojë pas pak çastesh, ndërrimin e viteve, momentin që po presim me padurim për të përqafuar dhe për të uruar me ngrohtësi, dashuri, miqësi dhe respekt njëri tjetrin.
Unë, sonte, si familjar, prind, mik shok, dashamirës, bashkëqytetar, por edhe kryeministër i juaj, vij pranë jush në këtë festë dhe dua që urimin tim më të përzemërt si dhe atë, të familjes sime dhe të qeverisë shqiptare për secilin prej jush, ta bashkoj me qindra dhe mijëra mesazhe urimi që ju merrni me letra, kartolina, sms, telefonata, facebook nga më të dashurit tuaj.
Gëzuar Vitin e Ri 2010!" tha sot në urimin e tij kryeministri Berisha.
"Për secilin prej nesh, për kombin shqiptar dhe për atdheun tonë Shqipërinë, viti 2009 ishte viti i arritjeve më të mëdha në historinë e udhëtimit tonë shekullor për t'u bashkuar me Evropën dhe perëndimin. Këtë vit me 4 prill në Samitin e Strasburgut, ne u bëmë anëtarë të Aleancës më të fuqishme ushtarake dhe politike të të gjitha kohërave, NATO-s. Një nga ëndrrat tona më të bukura  u shndërrua në realitet, liria e Shqipërisë dhe shqiptarëve u bë më e sigurt se kurrë.   Â
Më 28 qershor të vitit 2009, ne zhvilluam zgjedhjet e lira dhe të ndershme, zgjedhjet më të mira në historinë e këtij vendi, dhe nderuam kështu në mënyrën më fisnike bindjet e ndryshme të njeri-tjetrit, vullnetin tonë të lirë; por dhe miqtë dhe dashamirësit tanë kudo në botë, Shqipërinë e hoqën nga lista e zezë e zgjedhjeve jo të lira.
Më datë 16 nëntor, 27 qeveritë e vendeve anëtare të BE-së pranuan unanimisht kërkesën tonë për vend anëtar të BE-së. Po në nëntor, Parlamenti Evropian, kryesia e BE-së dhe Këshilli i Ministrave të BE-së vendosën Shqipërinë në listën e bardhë për heqjen e vizave gjatë muajve që vijnë" tha më tej Berisha.
Më tej gjatë fjalës së tij përshëndetëse, kryeministri u premtoi shqiptarëve më shumë vende pune, rritje rrogash dhe pensionesh.
"Shqipëria do të ecë e sigurt drejt kandidaturës për anëtare e Bashkimit Evropian.
Gëzuar vitin 2010, një vit të mbarë për çdo njërin prej jush, miqtë dhe të dashurit tuaj, kudo në botë.
Shëndet, gëzime dhe mirësi për të gjithë ju dhe për Shqipërinë. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja dhe shqiptarët kudo që janë" përfundoi urimin e tij Berisha.
k.k/NOA
Â