English

Presidenti i Republikës, mesazh shqiptarëve me rastin e Vitit të Ri 2010

Tiranë, 1 Janar 2010 NOA - Presidenti i Republikës Bamir Topi iu drejtua me një mesazh shqiptarëve, me rastin e natës së ndërrimit të viteve dhe mbërritjes së 2010.

Në mesazh, thuhet: "Të nderuar bashkëqytetarë, bashkatdhetarë e bashkëkombas, kudo ndodheni, brenda e jashtë Shqiperisë!

Të dashur motra e vëllezër! Erdhi momenti i dashur i përshëndetjes tradicionale të fundvitit, nëpërmjet ekranit me Ju, dhe përshtypja e parë është se ndihemi më afër njëri -tjetrit. Kjo është një ndjesi që më jep force! Në këtë prag të Vitit të Ri 2010, ju shpreh çdo njërit prej jush kudo që ndodhet, si dhe të gjithëve së bashku, urimet më të ngrohta, më të përzemërta! Në këto çaste të ndërrimit të viteve, uroj të gjithë shqiptarët që sot festojnë në gjirin e familjes së tyre, kësaj qelize të shenjtë të shoqërisë sonë, e cila është motiv krenarie, besimi e shprese. Paçi gjithmonë dashuri, lumturi, harmoni e shëndet në jetën tuaj! Sonte më shumë se kurrë, shpirtërisht, jam pranë atyre që për arsye të ndryshme gjenden të vetmuar. Jam pranë prindërve të moshuar që nuk i kanë fëmijët pranë, duke u uruar që t'i takojnë sa më parë të dashurit e tyre; jam pranë jetimëve dhe fëmijëve të braktisur, duke u premtuar atyre mbështetjen time të plotë, për të gjetur edhe ata një strehë të ngrohtë familjare, jam pranë njerëzve me aftësi të kufizuar dhe familjeve të tyre, me urimin për një vit të ri që t'u lehtësojë vështirësitë e tyre, me impenjimin e të gjithëve. Këtë natë të gëzuar shumë shqiptarë, të afërmit tanë, miqtë e shokët, të njohurit, e festojnë në vende të ndryshme të botës, ku jetojnë dhe punojnë me dinjitet e sakrifica prej vitesh, duke kontribuar në imazhin dhe progresin e Shqipërisë. Ju rikujtoj të gjithëve sonte, mallin që provojmë për ju, dhe ju uroj nga zemra një vit të mbarë. I veçantë vjen Viti i Ri edhe për forcat tona të armatosura, tashmë anëtarë të NATO-s që shërbejnë në Afganistan, Irak, Sudan e Bosnje, të cilët janë shndërruar në misionarë të paqes, rojtarë të saj, prandaj dua që sonte në këtë vigjilje të ndërrimit të viteve, t'u dërgoj urimin në të cilin bashkohemi të gjithë: Nga Mot Gëzuar! Jemi krenarë për ju! Bashkë me dhuratat që fëmijët tanë do të gjejnë nën pemën tradicionale të Vitit të Ri, u përcjell urimin tim me të ndjerë, më të vecantë, me sigurinë që Presidenti i Republikës, ëndrrat, dëshirat dhe të drejtat e tyre, i ka për zemër më shumë se çdo gjë tjetër, dhe tek ata sheh Shqipërinë e bukur të së nesërmes. Shqipëria të dashur motra dhe vëllezër, është në ecje të vazhdueshme, në kërkim konstant për të përmirësuar standardet e veta politike, ekonomike e shoqërore. Kjo natë është edhe një moment bilanci e reflektimi, prej të cilit duhet me të drejtë, të ndihemi krenarë për çdo arritje. 2009-a ishte një vit i rëndësishëm për vendin tone! Historia jonë kombëtare u pasurua me një ngjarje të madhe, siç ishte anëtarësimi në NATO, në këtë organizatë të lirisë e sigurisë, si dhe u bënë hapa vendimtarë drejt integrimit në familjen europiane. Populli shqiptar është një dhe i pandarë në dëshirën e tij për një Shqipëri demokratike europiane e në mirëqenie. Politika duhet të reflektojë realitetin. Mirëkuptimi, harmonia, bashkëpunimi i përditshëm mes njerëzve, si dhe atmosfera e këtyre festive, uroj që ta ndihmojnë gjuhën politike, që të jetë më pranë interesave të qytetarëve. Ekonomia e vendit e mbylli vitin 2009 me përpjekjen për të ruajtur ritmet e rritjes ekonomike, dhe përballur me sa më pak dhimbje ndikimin e efekteve të krizës ekonomike botërore. Viti 2010 kërkon forcimin e dialogut politik dhe shoqëror për vazhdimin e reformave, për t'i dërguar sinjale tregut për qetësi dhe klimë të favorshme për operatorët ekonomikë. Të gjithë sëbashku duhet të kemi më shumë besim tek vetvetja për të përballuar me efikasitet sfidat e vitit të ardhshëm, duhet të mendojmë për zgjidhje të qëndrueshme të çështjeve kryesorë që preokupojnë sot shoqërinë shqiptare. Një shoqëri e vërtetë demokratike ka nevojë për një sistem drejtësie të pavarur, larg ndikimeve politike. Por në të njëjtën kohë kemi nevojë për profesionistë të ndershëm dhe kurajozë. Si drejtuesi kryesor i këtij sistemi, në bashkëpunim me të gjithë faktorët e tjerë institucionalë, po punojmë me përkushtim për reformimin e tij, për ta kthyer atë në mjetin kryesor kundër korrupsionit dhe në një sistem drejtësie të besueshëm e të barabartë për të gjithë. Që të jemi sa më të suksesshëm, çdokush duhet të bëjë atë që i takon, duke u çliruar nga frika, që nuk të lë të arsyetosh dhe nga veçanësitë që nuk të lënë të vendosësh. Viti 2010 pritet t'i sjellë konfirmime historike e të merituara popullit shqiptar, siç është liberalizimi i vizave, i cili shemb edhe pengesën e fundit të ndarjes reale e psikologjike me Europën. Tashmë rruga për t'iu bashkangjitur familjes europiane, është më e hapur se kurrë. Të dashur vëllezër e motra, Të gjithë së bashku duhet të zgjojmë energjitë tona më të mira, për një Vit të Ri të mbarë e të suksesshëm. Ne kemi talent, forcë, kurajë, vullnet për të ndërtuar një shoqëri të begatë e demokratike për vete e për fëmijët tanë. Gëzuar! Qoftë një vit i mbarë për të gjitha familjet shqiptare, me shëndet, harmoni, mirëqenie e shumë suksese! Zoti e bekoftë Shqipërinë e shqiptarët!", përfundon mesazhi i prof. dr Topit,me rastin e Vitit të Ri 2010.

e.r/NOA

KOMENTE