English

Berisha lëshon premtimin e parë të 2010: Këtë vit hyni dhe dilni lirshëm në Evropë

Tiranë, 1 Janar 2010 NOA - Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se viti 2010, është një vit në të cilin me të drejtë presim së pari të lëvizim të lirë në mbarë Europën dhe më tej t'i afrohemi hyrjes me të drejta të plota në këtë organizëm ku aktualisht gjenden 27 shtete evropiane.

"Lëvizja e lirë ka një rëndësi të madhe shumë në rrafshin moral, por edhe në rrafshe të tjera. Në rrafshin moral, është plotësim i një dëshire të shumëpritur shekuj me radhë nga një komb që ka qenë në të gjithë kohërat në trojet e veta, në Europë. Por nga ana tjetër për shqiptarët ka një rëndësi të jashtëzakonshme, sepse aktualisht kanë përqindjen më të lartë të emigracionit në Europë", - tha kryeministri sot, gjatë një vizite që bëri me të shoqen Liri Berisha, në maternitetin "Mbretëresha Geraldinë", në kryeqytet.

Kryeministri kujtoi faktin se dy herë kanë qenë momentet e eksodeve të mëdha të këtij kombi: pas pushtimit otoman, dhe pas pushtimit totalitar.

Kështu që lëvizja e lirë, - vijoi kryeministri, - u jep mundësi familjeve të komunikojmë më lirshëm, të jetojnë së bashku.

Berisha pohoi se lëvizja e lirë është një mundësi e jashtë zakonshme për rininë shqiptare, e cila pas këtij akti mund të shkollohet ku të dojë, por dhe të kërkojë punë, përkohësisht, të udhëtojë lirshëm në kontinentin evropian.

Nga ana tjetër, Berisha premtoi se viti që sapo ka mbërritur "është viti, është viti i projekteve të mëdha, i reformave më të thella, viti i rritjes së rrogave dhe pensioneve, pra është një vit i shanseve dhe mundësive shumë të mëdha". Duke përfunduar idenë e tij, Berisha premtoi edhe se "do të bëjmë çdo përpjekje që të shfrytëzojmë shanset që na jepen".

r.b/NOA

KOMENTE