English

Maqedoni, kronologjia e ngjarjeve dhe top temat gjatë vitit 2009

Shkup, 1 Janar 2010 NOA/INA - Top temat që karakterizuan vendin tonë gjatë vitit që po e lëmë pas ishin jo shumë të pakta, që krijuan një imazh të rëndë në kuadër të procesit të integrimeve euroatlantike, një nga sfidat më të rënda për pozitën e shqiptarëve, izolimin dhe krizën ekonomike si dhe gjithë ato probleme që dita ditës kanë si gjeneratorë qeverisjen aktuale.

Janar

Foshnja e parë e lindur në janarin e 2009 ishte vajzë, e cila megjithatë nuk solli shumë fat për tërë vitin. Por ngjarja më madhështore e globit ishte ceremonia e inaugurimit të presidentit të ri amerikan me ngjyrë, Barak Obama. Duke iu rikthyer ngjarjeve në vend, i çuditshëm ishte fillimi i detyrimit ligjor për respektimin e përdorimit të qeseve të letrës, por që rezultoi një projekt i dështuar. Deputeti i BDI-së, Hisen Xhemaili pagoi 300 mijë për të blerë lirinë e kushtëzuar për të mos ngelur prapa grilave, nga hapja e proceseve të Hagës, sidomos rasti i "punëtorëve të maltretuar maqedonas". Ndërmjetësi Metju Nimic mbajti takimin e dështuar të negociatave të radhës për emrin, por që si zakonisht pa rezultate. Parlamenti me pazarllëk uli cenzusin për zgjedhjen e presidentit me 40 për qind të votave, për shkak të rrezikimit të zgjedhjeve. Kryeparlamentari Trajko Veljanovski shpalli mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe vendore me 22 mars. Partitë nxjerrin emrat e parë të kandidatëve për presidenti, VMRO-DPMNE me Gjorgje Ivanov, BDI me Agron Buxhakun, PDSH me Mirushe Hoxhën, LSDM me Lubomir Frçkovski, DR me Imer Selmanin, Lube Boshkovski kandidat i pavarur dhe kandidatët e tjerë.

Shkurt

Presidenca çeke me BE-në kumtoi përmes ministrisë së jashtme se nuk do të ketë negociata për anëtarësim me vendet aspiruese të Ballkanit Perëndimor gjatë presidencës së saj. Kandidatët presidencial grumbullojnë nënshkrimet për të garuar. Problemi i thelluar i incidenteve midis nxënësve shqiptarë dhe maqedonas në Strugë, imponime për ndërrime etnike. PDSH feston 15 vjetorin e themelimit të saj, e nderuar nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. Zëvendëskryeministri Abdylaqim Ademi premton 1.000 punësime sipas Marrëveshjes së Ohrit gjatë 2009. Gruevski alarmon kompromis për emrin, por jo me çfarëdo çmimi.

Mars

Fillon me 1 mars, heshtja zgjedhore për zgjedhjet presidenciale dhe vendore, partitë nisin karvanët zgjedhore. Njësiti policor "Alfa" më 4 mars, ndalon dhe maltreton ekipin e gazetarëve të agjencisë INA dhe stafit të gazetës "Shqip media" në hyrje të Kumanovës. Incidenti dënohet nga të gjitha organizatat e mediave dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ambasadori amerikan Filip Riker takon liderët e partive shqiptare për fushatën zgjedhore. Më 22 mars zhvillohen zgjedhjet presidenciale dhe vendore, mbi 7000 mijë vëzhgues vendor dhe ndërkombëtarë. Zgjedhjet u vlerësuan pa incidente dhe gazetarët e huaj mbetën pa storjet e pritura për dhunën dhe incidentet. Në raundin e dytë të zgjedhjeve shkuan dy kandidatët presidencial, Gjorgje Ivanov nga VMRO dhe Lubomir Fërçkovski nga LSDM. BDI shpallë fitore në disa komuna rurale, gati të gjitha komunat tjera shkojnë në balotazh. PDSH përfundimisht tërhiqet nga takimet e liderëve të partive politike. Ndizet problemi i qumështores "Suidmilk", fermerët kërkojnë borxhin.

Prill

Fushatë e ashpër për raundin e dytë. Gjykata Kushtetuese rrëzon masat stimuluese qeveritare për natalitetin në komunat e posaçme, duke i mundësuar të drejtën të gjitha

komunave. Anti-NATO protesta në Shkup nga dhjetra të rinjë maqedonas në Shkup. Kandidati i PDSH-së, Sadi Bexheti fiton garën zgjedhore në Tetovë, BDI në Strugë dhe Rufi Osmani në Gostivar, gjatë raundit të dytë. BDI mbështeti hapur kandidatin presidencial të VMRO-DPMNE Gjorgje Ivanov për në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Familje mërgimtarësh të zonës së Pollogut me familjet e tyre humbën jetën nga tërmeti në Akuila të Italisë. BFIM propozon ngritjen e Burmali Xhamisë në sheshin e Shkupit.

Maj

Dita e punëtorëve festohet me piknikë dhe ahengje nëpër periferi dhe parqeve të qytetit, në vend të protestave të punëtorëve, që vijuan në qendrat botërore, për shkak të krizës. Ministria e Shëndetësisë mohon praninë e gripit AH1N1 në Maqedoni. Maqedonia me media pjesërisht të lira sipas raportit të Freedom House. Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti arrestohet në vendkalimin kufitar Bllacë nga policia maqedonase, katër orë në bisedë informative. PDSH për herë të parë shpalos sinjalet e para të Marrëveshjes së saj politike, duke e potencuar si Marrëveshje të re kornizë. Nga kjo parti largohet edhe deputetja Flora Kadriu. BDI insiston për një dinamikë të re për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Jap de Hop Shefer vizitë në Shkup. Administrata amerikane kërkon intensifikimin e përpjekjeve për zgjidhjen e kontestit të emrit.

Qershor

Hapësirës mediale dhe shtypit shqiptar i shtohet edhe e përditshmja shqiptare "24 orë" në Maqedoni, si një zë i fuqishëm kundër territ informativ. Tërmetet përfshijnë disa zona të vendit. Arrestime të reja në Kondovë nga grupi i Agim Krasniqit. Qeveria përgatitet për shpalljen e tenderit për ndërtimin e kishës në sheshin e Shkupit. 1800 refugjatë nga Kosova ende në Maqedoni, shumica prej tyre serb dhe rom. Branko Cërvenkovski nga posti i presidentit të vendit rikthehet në krye të Lidhjes Socialdemokrate Maqedonase (LSDM). Demarkacioni vijon, banorët e Tanushës dhe Debëlldesë shprehin pakënaqësi. Ndërmjetësi Nimic apelon momentin për të gjetur kompromisin për emrin. Regjistrohen rastet e para të të infektuarve nga virusi AH1N1 apo gripi i derrit.

Korrik

NATO dhe BE paralajmërojnë qeverinë për të bërë përpjekje për kontestin e emrit. Hapet solemnisht ambasada e re amerikane në Shkup në lokacionin e ri në afërsi të Kalasë së Shkupit. PDSH shpalos Marrëveshjen politike, me kërkesat e saj. Me vendim të Ministrisë së Arsimit shkelet autonomia e USHT-së, pas vendosjes së ushtruesit të detyrës së rektorit Agron Reka në vend të rektorit Agim Vela. Paralajmërohet heqja e regjimit të vizave për shtetasit e Maqedonisë. Gruevski ndryshon një pjesë të kabinetit qeveritar, largohet ministri i Financave, Trajko Sllavevski. Arrestohet për korrupsion, babai i kryetarit të komunës së Çairit, Izet Mexhiti, në kuadër të grupit të të arrestuarve nga Fondi Pensional.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu anulon vizitën në Shkup, për shkak të mungesës së ceremonisë zyrtare të pritjes nga homologu Ivanov. Havier Solana mesazhe për proceset evrointegruese gjatë qëndrimit për vizitë në Shkup. Arrestohet shefi i kabinetit të ministrit të Ambientit Jetësor, Nexhati Jakupi, për shkak të përfshirjes në korrupsion.

Gusht

PDSH bojkoton punimet e Parlamentit. Evroambasadori Fuere kërkon rikthimin e kësaj partie. Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi takime me kryeministrin shqiptar Sali Berisha në Tiranë: Shqipëria të bllokojë Maqedoninë në NATO. Festohet tetëvjetori i Marrëveshjes së Ohrit, zëvendëskryeministri Abdilaqim Ademi nënvizon se nuk ka nevojë për një marrëveshje të re, ai prezanton të arritura të Marrëveshjes së Ohrit.

Rreth 30 veta të infektuar nga gripi AH1N1. Themeluesit e Demokracisë së Re, Bekim Fazliu dhe Ruzhdi Matoshi braktisin radhët e kësaj partie. Kaosi në arsimin shqip, nuk sigurohen paralele të nevojshme për mësim për nxënësit shqiptarë në shkollat e mesme të Shkupit, Tetovës dhe qytete tjera. Arrestohen 21 policë në vendkalimin kufitar Tabanoc, për shkak të përfshirjes në korrupsion. Fillon shqyrtimi i rastit të Sopotit në kuadër të Parlamentit.

Shtator

Nis procesi i lustrimit me në krye kryetarin e komisionit për hapjen e dosjeve, publicistin Agim Mehmeti. Një aksion i radhës i MPB-së në vendkalimin Tabanoc, arrestohen 19 policë të tjerë. Largime masive të profesorëve nëpër shkolla, nga ndikimet dhe vendimet politike, reagojnë partitë politike dhe organizatat joqeveritare. Arrestime të policëve për korrupsion edhe në vendkalimin Qafë Thanë me Shqipërinë. Tragjedia e fundosjes së anijes "Ilinden" në Ohër, ku humbën jetën 15 shtetas bullgarë. Qeveria bullgare kritika dhe kërkon përgjegjësi nga autoritetet e Shkupit. Gruevski në Kinë, premton investime kineze. Publikohet "Enciklopedia Maqedonase" një vepër që fyen dhe konteston historinë shqiptare. Pasojnë reagimet e bujshme nga Tirana, Prishtina dhe vendet e tjera. BDI dënon ASHAM, PDSH kërkon akademi shqiptare të shkencave dhe arteve. Protesta të nxënësve dhe studentëve shqiptarë kundër enciklopedisë.

Tetor

Deponia në Tetovë një problem shqetësues për banorët e kësaj komune, pas bllokadës së deponisë rajonale Rusino nga komuna e Gostivarit. Përfshihet nga flakët manastiri "Shën Jovan Bigori" që nxit debate për origjinën dhe mbizotërimin e këtij tempulli të kultit nga shqiptarët. Askush nuk merr përgjegjësi për enciklopedinë fyese për shqiptarët, shkarkohet kryeredaktori i enciklopedisë, akademiku Bllazhe Ristevski dhe ekipi i tij. PASOK dhe Jorgos Papandreu fiton zgjedhjet në Greqi, shpresa për zbutje të procesit të kontestit të emrit. Maqedonia merr rekomandimin pozitiv nga raporti i Komisionit Evropian për fillimin e negociatave për anëtarësim, mirëpo nuk jepet data e fillimit të negociatave. Shkupi dhe Prishtina ratifikojnë marrëveshjen për demarkacionin e kufirit, që i paraprinë marrëveshjes për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, dokument i nënshkruar nga ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni dhe ministri Antonio Milloshoski.

Nëntor

Ministri i Punës dhe Politikës Sociale për të dytën herë premton zgjidhjen e statusit të UÇK-së deri në fund të vitit. Kësaj i bashkëngjiten edhe zërat e deputetëve dhe lideri i kësaj partie. Eskalon gripi i derrave, shtohet numri i të infektuarve. Kryeministri grek Jorgos Panadreu bën me dije se zgjidhja e emrit parakusht për integrimin në BE. Parlamenti Evropian i jep dritë jeshile liberalizimit të vizave për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi për në fillim të vitit 2010. Zyrtarët e lartë të Brukselit kërkojnë zgjidhjen urgjente të kontestit të emrit deri në fillim të dhjetorit. Dështojnë negociatat për emrin në Nju-Jork, ska zgjidhje nga ndërmjetësuesi i OKB-së, Metju Nimic. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti optimist për zgjidhje, ndërsa kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi paralajmëron bllokadën greke. Takimi pa rezultat Gruevski-Papandreu në Prespë me praninë edhe të Sali Berishës.

Dhjetor

Bllokada e dytë greke më 7 dhjetor në takimin e nivelit të lartë të BE-së në Bruksel. Nuk jepet data për fillimin e negociatave. Brukseli i zhgënjyer nga kryeministri Nikolla Gruevski. Partitë politike ashpërsojnë tonet politike, PDSH në terren me qytetarët për ti informuar lidhur me Marrëveshjen e Re. BDI premton se gjashtëmujori i ardhshëm duhet të shfrytëzohet për gjetjen e zgjidhjes. Fillon lëkundja e parë e rejtingut të VMRO-DPMNE-së dhe kryeministrit Nikolla Gruevski. Mbi 5 mijë të sëmurë nga gripi i përgjithshëm, regjistrohen edhe viktimat e para që ndërruan jetë nga virusi AH1N1, rreth 15 të vdekur.

KOMENTE