English

Presidenti i uron Vitin e Ri 2010 fëmijëve të porsalindur dhe nënave të tyre

Tiranë, 1 Janar 2010 NOA - Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi vizituan sot paradite fëmijët binjakë të porsalindur dhe nënën e tyre në Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik "Koço Gliozheni" duke u uruar atyre Vitin e Ri 2010. Të shoqëruar nga Drejtoresha e maternitetit, Dr. Rubena Moisiu, Kreu i shtetit shqiptar dhe Zonja e Parë nisën fillimvitin 2010 me një vizitë në dhomën e nënës 33-vjeçare nga Durrësi, Suela Hoxha, e cila në mesnatë u ka dhënë jetë dy binjakëve, një djali dhe një vajze duke u interesuar për shëndetin e foshnjave të porsalindura.

Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi, pasi vizituan edhe Repartin e Terapisë Intensive, ku u shoqëruan edhe nga Shefi e këtij shërbimi, u takuan dhe zhvilluan një bisedë të ngrohtë e miqësore edhe me personelin mjekësor të këtij Spitali, që përkujdeset me dashuri e përkushtim për të porsalindurit. Gjithashtu Presidenti Topi, pasi e nisi fillimin e këtij viti me urimet më të mira për fëmijët dhe nënat e tyre në Maternitetin "Koço Gliozheni", shprehu mirënjohjen për të gjithë personelin mjekësor, që e kaloi ndërrimin e viteve në krye të detyrës. Kreu i shtetit përcolli edhe një urim tjetër para mediave të pranishme, atë për një vit të mbarë e të begatë për Shqipërinë, e cila patjetër këtë vit të ri do t'i afrohet edhe më shumë realizimit të aspiratës së saj integruese:

"Gëzuar! Sigurisht dita e sotme jep më shumë optimizëm, sepse kemi ardhur në një institucion prej nga fillon e ardhmja, e ardhmja biologjike dhe shoqërore. Kështu që vërtetë jemi të lumtur kur shikojmë një institucion modern, i cili ka parametra dhe standarde njësoj si institucionet evropiane, pa asnjë lloj mëdyshjeje dhe në simbolikën e vet këta fëmiljë që lindin sot do të jenë fëmijë me të drejta të plota të Evropës, kontinentit tone, të cilit ne dëshirojmë në të gjitha senset t'i bashkohemi. Presidenti më tej ka komentuar faktin se një nënë ka lindur binjakë ku njëri nga binjakët ka lindur dy minuta para orës dymbëdhjetë të natës, tjetri dy minuta pas orës dymbëdhjetë.

Presidenti e konsideroi si rast të rrallë këtë fakt, kurse babai i binjakëve pohoi për mediat se ishte zgjedhja e tyre që fëmijët të lindnin në dy vite të ndryshme.

Për këtë fakt, Presidenti komentoi: "Unë besoj që nëna do të jetë ajo që do të vendosë për vitin që vërtet do të na fusë të gjithëve në Evropë dhe besoj që nëna do të zgjedhë vitin 2010. Apo jo?"

Në përfundim të vizitës së tij, Topi bëri dhe një urim politik: "Gëzuar gjithë shqiptarëve në këtë ditë të re, kjo ditë e re që sjell shumë shpresë që të gjithë të shkojnë në një paqe, në një dialog, i cili është shumë i vlefshëm për atë që ne aspirojmë. Aspirojmë të gjithë një botë të qytetëruar dhe bota e qytetëruar i sjell me vete të gjitha, por natyrisht të gjithë duam prosperitet ekonomik dhe prosperiteti ekonomik vjen mbi bazat e një paqeje sociale. Dhe paqen sociale e sjellin të gjithë, e sjellin njerëzit, e sjell politika dhe kjo është ajo që unë dua të them sot. Urimin që të gjithë të kalojnë një Vit të Ri 2010 të gëzuar, që do të jetë një vit me shumë impenjime dhe kuptohet, impenjimet fillojnë pikërisht në minutat e para të 2010-ës në këtë institucion".

r.b/NOA

KOMENTE