Prishtinë, 1 Janar 2010 NOA - Kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, i është drejtuar qytetarëve të shtetit më të ri në botë me një mesazh ku vlerëson sukseset e vitit që u mbyll dhe sfidat e atij që sapo ka nisur.
"Dua t' ju falënderoj juve, qytetarë të Republikës së Kosovës, për punën tuaj të palodhshme, për durimin tuaj dhe për përkushtimin tuaj për ta bërë Kosovën një vend të shpresave dhe të ëndrrave tona", - thuhet në fillim të mesazhit.
Në vijim Thaçi vlerëson se duke punuar së bashku, kemi arritur suksese të jashtëzakonshme në këtë vit. Si shtet i pavarur dhe demokratik, ne mbajtëm zgjedhjet e para të lira, fer dhe demokratike, që u vlerësuan lart nga të gjithë.
Ai evidenton se Kosova u bë anëtare e barabartë e Bankës Botërore dhe e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Krijuam shumë vend të reja pune me paga të mira.
Kurse duke nënkuptuar kryesisht punën e qeverisë që drejton, kryeministri evidenton: "Ndërtuam me qindra kilometra rrugë të reja, me dhjetëra shkolla të reja, bëmë shumë punë të tjera për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve dhe për të mundësuar një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë".
Megjithatë, Thaçi është realist kur thotë se edhe pse arritjet e Kosovës ishin të mëdha në vitin 2009, "ne duhet, dhe do të vazhdojmë të punojmë me zell, çdo ditë, për të ndërtuar një të ardhme të ndritshme për të gjithë".
Ndaj Thaçi u angazhua se "do të vazhdojmë punën e suksesshme të vitit 2009, për ta bërë vitin 2010 edhe më të mirë se vitin që po e lëmë pas".
Kryeministri shpjegon se "këtë do ta arrijmë duke vazhduar punën e përbashkët që ka një qëllim të vetëm: krijimin e një të ardhmeje më të mirë për vendin tonë".
Ndaj në përmbyllje të mesazhit drejtuar shqiptarëve të Kosovës, lëshohet edhe apeli i kryetarit të qeverisë: "Pra, le të vazhdojmë ta lëmë politikën mënjanë dhe të përqendrohemi në atë që është me të vërtetë e rëndësishme: e ardhmja jonë, e ardhmja e fëmijëve tanë dhe e ardhmja e shtetit tonë sovran".
a.b/r.b/NOA