English

E rrallë, vjedh bankën që drejton, për të ndihmuar të varfrit

Drejtoresha e bankës, si Robin Hudi, vidhte prej të pasurve dhe i vendoste lekët në llogaritë e të varfërve

Bon, Gjermani, 2 Janar NOA - Grabiste të pasurit për t'ia dhënë të varfërve, si Robin Hud, por është zbuluar duke mësuar kështu faktin se krimi nuk mund të justifikohet, madje edhe kur qëllimi është i mirë, ndaj duhet të mësohet me faktin se ka marrë 22 muaj burg me kusht.

Dënimi është dhënë nga një gjykatë në Bon për një gjermane Robin Hood, drejtoreshë banke që tërhiqte para nga llogaritë e të pasurve për ti kaluar më pas në llogaritë e të varfërve

Ngjarja ka ndodhur në Bornheim, një qytet i vogël pranë Bonit, ish-kryeqyteti i Gjermanisë Perëndimore deri në ribashkimin e Gjermanisë. Protagonistja e ngjarjes Erika B. (identiteti është censuruar për të ruajtur privatësinë) ka plaçkitur për vite të tëra pa u zbuluar që nga viti 1990 kur ishte drejtoreshë e bankës lokale të kursimeve, VR-Banka në Bornheim.

Ajo ka vjedhur për vite të tëra pa u zbuluar, llogaritë bankare të klientëve të pasur për të kompensuar ato të të varfërve, duke shtuar në llogaritë e "pabukave", paratë që merrte nga pasanikët.

Në tërësi, sipas publikimit të gazetës gjermane "Bild", midis 2003 dhe 2005, Erica ka zhvendosur 7.6 milionë euro në 117 raste të konfirmuara.

Gruaja 62 vjeçare ka deklaruar në mënyrë të përsëritur përpara avokatit të saj mbrojtës, Thomas Ohm, se asnjëherë nuk ka marrë për vete qoftë dhe një euro të vetme.

Erika B. ka pohuar në sallën e gjyqit, se për të mos tërhequr vëmendjen, gjatë inspektimeve ajo transferonte shuma të konsiderueshme nga kursimet e klientëve të varfër duke ia kaluar atyre të pasur dhe pas kontrollit ia transferonte paratë përsëri pronarëve legjitimë.

Por një skemë e tillë nuk është dhe nuk mund të jetë gjithmonë e mundur, për shkak se disa nga klientët me llogari të kuqe të thellë, i shpenzonin paratë përpara se ajo t'ia rimerrte. Përfundimisht, dëmi financiar i shkaktuar në bankë nga Erika B. ishte 1.1 milionë euro.

Gjyqtari pyeti se pse ajo e bëri atë, por nuk u dha asnjë shpjegim i qartë nga ish-drejtoresha e filialit bankar:

"Pa e kuptuar, kam rënë në kthetrat e një manie për ndihmë," tha Erika, e cila tani deklarohet të jetë penduar.

Sakaq, gjykata e ka pasur të vështirë për ta dënuar: "Nga njëra anë i ka shkaktuar një dëm të madh financiar bankës - dhe nga ana tjetër vihet re se sjellja e saj ishte pa fitme personale, kështu kemi të bëjmë me një rast rrënjësisht të ndryshëm nga të zakonshmit"- ka deklaruar gjykatësi i çështjes penale.

Dhe përmbyllja e gjyqit, si dhuratë për Vitin e Ri 2010 për drejtoreshën me zemër të artë që drejtoi dy dekada bankën lokale, ishte dalja në rrugë.

Gjykata vendosi të ekzekutohet vendimi për zhdëmtimin e shumës 1.1 milionë euro. Ndaj e moshuara detyrohet të shlyejë debitin, duke shitur shtëpinë, figuracionet dhe gjithë ç'kishte me vlerë.

Tani nuk i mbetet gjë tjetër, komenton e përditshmja gjermane, veçse të kërkojë një strehë, kur të ardhura të vetme, ka pensionin e saj mujore, prej një mijë eurosh.

k.a/r.b/NOA

Â

KOMENTE