Uashington, 2 janar NOA - Pas përpjekjes për atentat ndaj një avioni amerikan që po udhëtonte nga Amsterdami në Detroit, presidenti amerikan Barack Obama fajësoi drejtpërdrejt El Kaidën në Jemen, për trajnimin dhe furnizimin e atentatorit 23-vjeçar nigerian me masën shpërthyese qe posedoi si përpjekje për ta hedhur në erë aeroplanin amerikan në Ditën e Krishtlindjeve.
Në fjalimin e tij javor në radio dhe televizion, Obama tha se i dyshuari, Umar Faruk Abdulmutallab, kishte udhëtuar në Jemen ku "duket se i ishte bashkangjitur një grupi të afërt me Al Kaidën, dhe se ky grup i Al Kaidës në gadishullin Arabik e ka stërvitur atë, e ka pajisur me eksploziv dhe e ka drejtuar që ta sulmojë aeroplanin, i cili po fluturonte drejt Amerikës".
Nga ana tjetër, Obama paralajmëroi, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kërkojnë llogari nga rrjeti rajonal terrorist i "El Kaidës në Gadishullin Arabik".
"Ne ndodhemi në luftë me rrjetin shumëdegësh të dhunës dhe urrejtjes", tha Presidenti amerikan.
Kjo ishte deklarata për herë të parë që Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama, bëri në mënyrë direkte duke akuzuar bashkëpunëtorët e Al Kaidës në Jemen për armatosjen dhe trajnimin e nigerianit 23 vjeçar, i dyshuar për përpjekje për ta hedhur në erë aeroplanin amerikan në Ditën e Krishtlindjeve.
Të hënën, dega e Al Kaidës në gadishullin Arabik e mori përgjegjësinë për përpjekjen për të sulmuar aeroplanin.
Â