Ndërsa Evropa ka shënuar dy dekadat nga rënia e Perdes së Hekurt, vala e zgjerimit demokratik që kishte përfshirë ish-vendet sovjetike, duket sikur po zbehet. A e ka ndryshuar kursin ëndrra demokratike e vitit 1989?
Nga Brian Whitmore
Në vitin 1989, shtatë muaj përpara se Evropa të shënonte me triumfalizëm rënien e Murit të Berlinit, Gia Margulia iu bashkëngjit mijëra njerëzve në qendrën e kryeqytetit të Gjeorgjisë, për të protestuar kundër sundimit sovjetik. Sot, drejtor i një shkolle publike në Tbilisi, Margulia, i ulur në zyrën e vet, e rikujton atmosferën e tensionuar dhe të nxehtë të dy dekadave më parë, kur në kulmin e epokës së perestrojkës së ish-liderit sovjetik, Mihail Gorbaçov, gjeorgjianët e menduan të paimagjinueshmen - të shkëputen nga zgjedha e Moskës dhe të fitojnë pavarësinë e tyre. "Ne tashmë kishim gëlltitur pak liri dhe ishte i pamundur kthimi prapa në kufijtë e vjetër. Ne filluam të flasim se si Gjeorgjia duhej të jetë vend i lirë", kujton Margulia. Por, Kremlini kishte ide të tjera. Në orët e hershme të mëngjesit të 9 prillit, pas disa ditëve të demonstratave, trupat sovjetike i rrethuan demonstrantët dhe i sulmuan me shufra dhe shkopinj. Nëntëmbëdhjetë gjeorgjianë u vranë, përfrshirë një vajzë 16-vjeçare.
1989
Pranvera e përgjakshme e Tbilisit e vitit 1989 u ndoq nga vjeshta e ndryshimeve në Evropën Lindore, kur protestat paqësore në Pragë dhe Berlinin Lindor, si dhe përleshjet e dhunshme në Rumani, i përmbysën regjimet satelite në tërë Evropën Lindore, duke rrëzuar Perden e Hekurt dhe duke i dhënë fund Luftës së Ftohtë. Ndërsa bota në vitin 2009 e shënoi 20-vjetorin e rënies së Perdes së Hekurt, në fokus u gjetën fatet e ndryshme të vendeve të revolucioneve të vitit 1989. Ish-shtetet vazale sovjetike, si Polonia, Hungaria, Republika e Çekisë dhe Sllovakia janë demokraci të lira, stabile dhe prosperuese, në gjirin e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian. Por, vendet si Gjeorgjia, Ukraina dhe Moldavia, të cilat e fituan pavarësinë pas kolapsit sovjetik të vitit 1991, kanë parë dy dekada të turbullta në përpjekjet e tyre për t'u shkëputur nga zgjedha e Moskës, për të krijuar demokraci funksionale dhe për t'iu bashkëngjitur plotësisht Perëndimit. Margulia thotë se shumica e vendeve që dolën nga sundimi sovjetik, thjesht nuk ishin të gatshme për atë që i priste pas pavarësimit. "Kemi bërë shumë gabime. Të gjithë ne e ëndërronim lirinë, por nuk ishim të përgatitur për atë liri. Të gjithë menduam se kur ta fitojmë lirinë, atëherë gjithçka do të rregullohet vetvetiu. Nuk ishim të përgatitur". "Ne nuk u përgatitëm që të jemi ministra të mirë apo administratorë të mirë. Ne nuk kishim kurrfarë koncepti se si ta zhvillojmë shtetin tonë", rrëfen Margulia. Analistët thonë se vendet e sapopavarësuara, të cilat kishin kaluar afro shtatë dekada nën sundimin e drejtpërdrejtë sovjetik, në masë të madhe e kishin pranuar kulturën politike autoritare të BRSS-së dhe kishin pak tradita demokratike, ku mund të mbështeteshin pasi të pavarësoheshin. Përveç kësaj, afërsia me Rusinë i dha Moskës një mundësi për t'u përzier, e cila thjesht nuk ekzistonte më tutje në Perëndim. Xhejms Goldgejer, nga Këshilli për Marrëdhënie Ndërkombëtare, është autor i librit "Amerika ndërmjet Luftërave: nga 11/9 në 9/11", i cili e shqyrton periudhën ndërmjet fundit të Luftës së Ftohtë dhe sulmeve terroriste të 11 shtatorit, 2001. "Sigurisht që sa më afër Evropës Perëndimore, procesi shkon më lehtë. Mendoj se faktorët e brendshëm politikë dhe dëshira e Rusisë për të mos i lejuar këto vende që t'i afrohen Perëndimit, kanë qenë problemet më të mëdha", thotë Goldgejer. Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, të ashtuquajturat "revolucione të ngjyrave" në Gjeorgji, Ukrainë dhe Kirgizi, dukej sikur do të jenë vala e dytë e kryengritjeve demokratike, të ngjashme me ato të vitit 1989, që do të sillte një grup të ri në institucionet perëndimore.
1989
Por, shpejt pasi ra euforia nga revolucionet e ngjyrës së trëndafilave, portokalleve dhe tulipanëve, u shfaq zhgënjimi nga zhytja e elitave të reja politike në grindje dhe hakmarrje. Shtrohet pyetja, çfarë do të duhej për të rifreskuar valën demokratike, e cila e pati përfshirë ish-sferën sovjetike? Goldgejer thotë se do të nevojitet shumë. "Do të nevojitet lidership më efektiv nga vetë vendet dhe udhëheqës të vërtetë, të cilët do të mund ta lënë mënjanë sedrën e tyre dhe përpjekjet për të përfituar personalisht përballë konkurrentëve, në mënyrë që të ndihmojnë zhvillimin e vendit të tyre. Por, mendoj se do të duhen të shihen ndryshime edhe në vetë Rusinë", thotë Goldgejer. Shumica e ekspertëve janë të mendimit se Rusia me të vërtetë është pjesë e madhe e problemit. Pasi i humbi satelitët e Paktit të Varshavës në Evropën Lindore, Moska ka qenë këmbëngulëse në vendosmërinë për ta ruajtur atë që e quan sferë të influencës në ish-hapësirat sovjetike. Linkolln Miçell, profesor i politikës ndërkombëtare në Universitetin Kolumbia në Nju Jork, thotë se, me kalimin e kohës, është rritur edhe aftësia e Moskës për t'i shtyrë përpara interesat e veta në rajon. "Në fillim të viteve të 1990-ta, Rusia mezi ishte e aftë që të reagonte. Tani, ata janë në gjendje. Në vendet në kufijtë e tyre, me të cilët kanë lidhje të jashtzakonshme kulturore dhe politike, rusët do të vazhdojnë të bëjnë shumë më tepër presion", pohon Miçell. /noa/rfe/
Â