Shkup, 3 Janar NOA/INA - Këngëtari i njohur nga Maqedonia, Adrian Gaxha në një intervistë për agjencinë e lajmeve INA thotë se shpejti do të nxjerrë në dritë albumin e ri që posedon 17 këngë dhe kryesisht të zhanrit RNB dhe pop. Gaxha rrëfen edhe për jetën e tij të përditshme dhe planet e tij për në të ardhmen.
INA: Adrian, çfarë jeni duke punuar këto ditë ?
Gaxha: Po bëra promovimin e albumit tim të quajtur "E Brenduar", sipas këngës që mban të njëjtin titull. Ajo që po merrem është studioja ime që e kam hapur në kuadër të produksionit tim. Të shohim se si do të jenë sukseset në këtë drejtim, pasi që janë përkushtuar me të madhe rreth këtij projekti. Por ajo që më preokupon tërë kohën është albumi i ri, që posedon 17 këngë dhe kryesisht të zhanrit RNB dhe pop.
INA: Po, por, kjo do të thotë se shumë pak i kushtoni kohë të lirë vetes ?
Gaxha: Dy muajt e fundit katastrofë jam tu kalu. Ditëve të fundit vetëm dy orë bëj gjumë gjatë ditës, sepse tërë natën kemi incizime dhe programe për natën e vitit të ri. Pastaj edhe nata më kalon nëpër studio, sepse kam pasur shumë oferta nga shumë televizione. Kam shfrytëzuar kohën e lirë për të shkuar dhe vijuar studimet në fakultetin e FON, ku studioj. Kalojë një kohë të shkurtër edhe me familjen dhe se fundi jam adhurues i zoo-botës, pasi që për momentin ruaj 14 mace dhe dy qen, të gjithë janë me pedigre, disa i kam marrë nga rruga. Kam plane që të shtojë këtë familje. Kështu mundohem të shfrytëzojë kohën e lirë, sepse më është krijuar monotoni jeta e natës.
INA: Janë festat e Vitit të Ri. Sigurisht je i pranishëm edhe nëpër ahengjet që organizohen në diasporë. Si e ndjeni veten të jeni pjesë e këtyre organizimeve?
Gaxha: Po sigurisht do të jem pjesë e këtyre ahengjeve nëpër vende të ndryshme në këtë fillimvit. Ajo që më bën përshtypje se atje kaloj shumë bukur, njerëzit më duan, por kemi pak kohë për të shijuar jetën e atjeshme. Së fundi isha në Gjenevë vetëm për dy orë dhe menjëherë u ktheva. Atje jeta është më trans dhe më e gjallë nëpër ahengjet e ndryshme dhe diskotekat. Por, normal se unë kaloj mirë edhe këtu në vendin tim, ku sigurisht ka me dhjetëra organizime të ndryshme.
INA: Sa është fitimi mujor i një këngëtari, konkretisht sa fitoni ju. Nëse nuk është sekret ?
Gaxha: Ka situata, ka manifestime ku vërtet duhesh ndonjëherë të hysh edhe në minus, por më kryesore është të punosh për veten. Ndonjëherë kemi fitime më shumë, e ndonjëherë më pak. Nuk di të them konkretisht në shifra.
INA: Sa është muzika juaj komerciale ?
Gaxha: Albumi im fundit mundem të them lirisht se 90 për qind prej këngëve nuk janë komerciale, por mundem të bëj balancë që të dëgjojnë të gjitha moshat, pa marrë parasysh pleq e të rinj. Në këtë album kam një duet me Ramadan Krasniqin - Danin që titullohet "Si kjo Raki" është një këngë shumë e mirë dhe u prit shumë mirë nga publiku. Pra fokusohem në këngë që dëgjohen dhe kanë një vijë melodike të bazuar në diçka tërheqëse dhe profesionale.
INA: Me cilën këngë mendoni se keni thyer anonimitetin, për tu bërë i njohur ?
Gaxha: Prej 7 këngëve që kanë depërtuar në gjithë trojet shqiptare, ku të gjitha që janë me videoklipe, të gjitha janë bërë hite nëpër Shqipëri, Maqedoni, Kosovë e diasporë.
Kënga me cilën kam depërtuar ishte "Çapkëne", ka qenë në vitin 2002, kur ka qenë një vit shumë i vështirë në Maqedoni menjëherë pas luftës, por kënga ka bërë një bujë të madhe edhe në Maqedoni, por edhe në trojet tjera shqiptare.
INA: Si ju lindi ideja për realizimin e këngës për Prishtinë-Shkup-Tiranë, një këngë që po dëgjohet me të madhe ?
Gaxha: Çdoherë kam dashur të kem një këngë më patriotike pozitive, si të them, isha duke punuar ne studion time dhe bëja përgatitjet rreth albumit. Në atë moment lindi ideja që ta bëjë tekstin më patriotik, dhe kur e mbarova këngën, rastësisht erdhi Artani i lëvizjes "Zgjohu", dëgjoi këngën dhe të them të drejtën më ndihmoi shumë që të gjejë sponsor për realizimin e videoklipit, që e gjithë kjo të bëhet gati dhe të promovohet për ditën e flamurit në Shkup.
INA: Ju vini nga një familje e njohur për kultivimin e muzikës. Sa ju ka ndihmuar ky fakt që të arrini suksese në karrierën tuaj ?
Gaxha: Normal që më ka ndihmuar shumë familja. Hapi i parë ishte regjistrimi në shkollën e muzikës që në moshën 5 vjeçare, për violinë. Kjo ishte ideja e babait tim dhe kështu jam rritur me muzikën, me theks të posaçëm për shkak të shkollës duke shtuar interesin edhe për muzikën klasike. Pastaj pata dëshirë të konkurroj në një festival ku këndohet këngë zbavitëse këngë të lehta dhe ky ishte "Nota Fest" dhe këtu filloj gjithçka ashtu rastësisht. Më pas aty fitova vendin e parë dhe nisi karriera ime me mbështetjen e plotë të familjes time të ngushtë.
INA: Përveç familjes, keni ndonjë më të dashur apo ndonjë lidhje të re dashurie, pas shumë zërave ?
Gaxha: Për momentin nuk jam i dashuruar në dikë. Para një kohe kam qenë me një vajzë nga Shqipëria, është quajtur Juana, por përfundoi ajo lidhje dhe tashmë jam single.
INA: Çka në vitin 2010 ?
Gaxha: Po kemi shumë punë dhe projekte që duhet ti realizojë dhe gjithçka të mbetet një surprizë.