Buenos Aires, 3 Janar NOA - Përgjaket gara e sivjetme e automobilëve "Rally Dakar" pasi në Argjentinë ajo nisi sot me një aksident të rëndë.
Në etapën e parë në Argjentinë shoferi gjerman Mirco Schultis doli nga rruga dhe u përplas me një grup shikuesish. Si pasojë humbi jetën një grua dhe u plagosën rëndë dy persona.
Sipas të dhënave të mediave Schultis sqaroi se do të tërhiqet nga gara. "Rally Dakar" është një garë e famshme që zhvillohet në shkretëtirë dhe në borë.
Gara e parë e "Rally Dakar" ka nisur me 26 dhjetor të vitit 1978 në Paris dhe ka përfunduar me 14 janar të vitit 1979 në Dakar, kryeqytetin e Senegalit.
Sivjet kjo garë zhvillohet në Argjentinë dhe Kili. Ajo nisi dje në Buenos-Aires ku më 17 janar do të bëhet edhe shpallja e fituesit.