Milano, 4 Janar NOA - Ka ardhur më në fund dhe zyrtarizimi i blerjes së lojtarit maqedonas, Goran Pandev nga Lazio tek ekip zikaltër i Interit.
Lojtari kaloi me sukses vizitat mjekësore të cilat i bëri ditën e diel dhe është i gatshëm për të luajtur ndeshjen e ardhshme të Interit përballë Chievos megjithëse asgjë nuk është e sigurt pasi me sa duket paraqitja e tij e parë me ekipin e Mourinjos do të jetë pas kësaj ndeshjes, ku lojtari mund të futet në lojë që nga minuta e parë.
Pandev ka nënshkruar një kontratë që do ta lidhë me ekipin e Interit deri më 30 qershor të 2014 dhe bluza që do të veshë do të mbajë numrin 27.
Fjalët e para të maqedonasit në këtë klub, të dhëna në një intervistë ishin: "kam ardhur në këtë klub për të fituar dhe për të treguar vlerat e mia si një lojtar i Interit".
Me sa duket lojtari ka ardhur mjaft entuziast në ekipin zikaltër dhe nuk ngelet gjë tjetër vetëm të shikohet paraqitja e tij.
r.b/NOA