Pogradec, 4 Janar NOA Alba Filipi/ - Trupi që u gjet sot nga një grup peshkatarësh në ujërat e liqenit të Pogradecit, ndërkohë që po peshkonin me rrjeta, i përket një ish-kolegu të tyre zhdukur mbi tre vjet më parë, informon korrespondentja e agjencisë NOA.
Burimet policore dhe ato në morgun e spitalit në Pogradec, bënë të ditur se sipas të dhënave trupi besohet se i përket shtetasit Dylaver Maxhari, lindur e banues në Pogradec, i shpallur person në kërkim në fund të tetorit-fillim të nëntorit të vitit 2007.
I ndjeri u gjet sot pasdreke dhe trupi ishte i dekompozuar. Në vendngjarje policia tha se mori në pyetje tre peshkatarë. Ata kanë treguar se ishin duke u përpjekur të zinin peshk me rrjeta dhe teksa po e tërhiqnin njërën prej tyre kur gjendeshin në varkë, papritur në sipërfaqe doli trupi i një mashkulli.
Vetë peshkatarët kur e gjetën të ndjerin, thanë se i druheshin mundësisë që viktima të ishte një prej ish-kolegëve të tyre, duke iu referuar pikërisht zhdukjes së tre viteve më parë gjatë një stuhie në ujërat e liqenit ku sot u gjet i pajetë.a.f.r.b/NOA