Shkup, 4 janar NOA - Autoritetet gjermane kanë refuzuar kërkesën e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Shkodran Idrizit për azil politik në Gjermani duke i hapur rrugë ekstradimit të tij drejt Maqedonisë.
Avokatët mbrojtës gjerman kanë dështuar në përpjekjet e tyre maksimale për të mos kryer ekstradimin e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Shkodran Idrizi, i cili u arrestua javën e kaluar nga policia gjermane, pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet maqedonase të drejtësisë në Shkup.
Pas refuzimit të azilit politik nga autoritetet gjermane nesër pritet ekstradimi i tij për në Maqedoni.
Ministria e Drejtësisë tashmë ka bërë gati të gjitha procedurat dhe nesër pritet ekstradimi i tij në Maqedoni..
Ish-pjesëtari i UÇK-së, Shkodran Idrizi është njëri ndër të akuzuarit për maltretimin e punëtorëve maqedonas gjatë konfliktit të vitit 2001, lëndë gjyqësore që u kthye nga Tribunali i Hagës, për shkak të mungesës së fakteve.
Në mbrojtje të Shkodran Idrizit kanë dalë shoqatat e veteranëve të luftës, të cilët kërkojnë mos ekstradimin e tij dhe lënien të lirë, për shkak të amnistisë së shpallur për të gjithë pjesëmarrësit e konfliktit të vitit 2001.