Tiranë, 4 janar NOA -Partia Demokratike ka reaguar sot me anë të zëdhënëses së saj Erla Mëhilli për deklaratën e deputetit të opozitës, Ilir Beqja i cili u shpreh se qeveria ka braktisur banorët e zonave të përmbytura.
"Edi Rama dhe bllokmenët e rinj, pasi kaluan pushimet e fundvitit në Burgalarab dhe detërat e nxehta, u sollën sot shqiptarëve si urim, "Rroftë përmbytja".
Deklarata e sotme e Edi Ramës për përmbytjet, janë dëshmi tjetër se ai alternativë të vetme për shqiptarët ka fatkeqësinë natyrore" tha Mëhilli.
Sipas saj, reshjet dhe vërshimet e mëdha që rritën në dhjetëra e dhjetëra herë prurjet në lumenjtë e Matit, Drinit të Zi, Drinit të Bardhë e degëve të tyre, në lumin e Gashit, Valbonës, Currës dhe në lumin e Shalës u përballuan me dëmet më minimale.
"Kjo së pari për shkak të angazhimit total para dhe mbas natës së ndërrimit të viteve nga autoritetet lokale dhe qendrore për menaxhimin e situatave emergjente dhe së dyti nga pritat dhe argjinaturat e ngritura në lumin e Matit, në atë të Drinit, Kirit e Vjosës, të cilët përballuan vërshimet e papara të këtyre lumenjve gjatë dhjetë ditëshit të fundit.
Partia Demokratike shpreh edhe një herë vlerësimin dhe mbështetjen e saj më të madhe për qytetarët e këtyre zonave, qeveritarët vendor të të gjitha niveleve, për forcat e Policisë së Shtetit, Emergjencat Civile dhe ato të Ushtrisë, Bordeve të Kullimit, të cilët bënë që këto momente kritike të përballohen pa humbje jetësh dhe me dëme plotësisht të kompensueshme" përfundoi zëdhënësja e PD-së.
k.k/NOA
Â