Tiranë, 4 janar NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja ka dalë sot në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës në emër të opozitës ka shprehur shqetësimin për situatën e vështirë në të cilën ndodhet banorët e disa komunave të Lezhës dhe të Shkodrës. "Situata mbetet e rëndë në Obot sepse niveli i ujërave nuk ka lëvizur.
Situata mbetet emergjente në Darragjat dhe Samrisht të Vjetër sepse rrezikon të çahet argjinatura tek e cila nuk është vënë dorë prej 22 vjetësh.
Partia Socialiste vazhdon të jetë pranë njerëzve që po kalojnë ditë të vështira, pranë banorëve të Anës së Malit e të Dajçit, banorëve të Velipojës e të Bërdicës, banorëve të Vaut te Dejës e të Gurit të Zi, banorëve të Shëngjinit e të Tales" tha Beqja.
Beqja ka shpresuar që të askujt të mos i cenohet jeta, pasi sipas tij ata janë sot në mëshirë të motit dhe fatit e të braktisur nga qeveria e tyre.
"Situata aktuale nxjerr në pah paaftësinë e qeverisë për të parashikuar e parandaluar emergjenca të tilla. Nuk është nevoja që Sali Berisha të bëjë parashikuesin e motit apo drejtorin e emergjencave civile.
Situata që po kalojmë nuk mund të justifikohet me kapriçot e motit.
Shqiptarët nuk e kanë dëgjuar për herë të parë baticën kur ua shpjegoi Sali Berisha, por qeveria e Sali Berishës nuk ka marrë asnjë masë për të përforcuar argjinaturat në Tale. Edhe paratë e shpenzuara në vitin 2006 për të mbrojtur Lezhën e Shëngjinin nga përmbytjet kanë shkuar në xhepat e oborrit të familjes në pushtet.
I bëjmë thirrje Prokurorisë të hetojë fatin e këtyre investimeve" tha më tej Beqja.
k.k/NOA