Burrel, 4 janar NOA - Persona të armatosur dhe me maska kanë terrorizuar dhe grabitur 20 pasagjerë të një fugoni në rrugën Vig të Matit.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme kur dy persona të armatosur dhe të maskuar i kanë dalë para një fugoni me pasagjerë duke detyruar shoferin të ndalojë.
Dy grabitësit kanë hyrë brenda në fugon dhe nën kërcënimin e armës urdhëruan të gjithë pasagjerët tu dorëzonin atyre paratë.
Për disa minuta pasagjerët janë terrorizuar nga grabitësit të cilët pasi morën paratë dhe sendet me vlerë u larguan me shpejtësi duke u shpëtuar prangave të policisë.
Burime nga policia thanë se në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie dhe fillimisht kanë marrë në pyetje pasagjerët të cilët ka rrëfyer se grabitësit ishin të maskuar.
Fugoni me targa TR 2092 T i linjës Selishtë- Tiranë, aktualisht ndodhet në komisariatin e policisë së Burrelit, ndërsa policia po vazhdon hetimet për të identifikuar dhe kapur autorët.
k.k/NOA