Maqedonia mund të destabilizohet nëse brenda gjashtë muajve nuk e zgjidh kontestin rreth emrit me Greqinë, vlerësojnë analistët politikë
Isuf Kadriu*
Institucionet shtetërore të Maqedonisë nuk duhet të humbin asnjë ditë kohë, por me intensitet të përgatiten për ofensivën e re diplomatike, që në gjashtë muajt e ardhshëm të zgjidhin kontestin rreth emrit me Greqinë, i cili edhe bllokoi caktimin e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kështu vlerësojnë analistë dhe ish-zyrtarë të lartë shtetërorë. Nënkryetari i Këshillit Euroatlantik, Ismet Ramadani, thotë se humbja e shansit për zgjidhjen e çështjes së emrit, do të kishte pasoja për stabilitetin e Maqedonisë. "Nëse vazhdon kështu, Maqedonia, brenda këtyre gjashtë muajve, do të gjendej në situatë, kur ata, të cilët kishin simpati apo ishin për ta ndihmuar Maqedoninë në këtë çështje, dalëngadalë do të distancohen dhe përfundimisht do të krijojnë bindjen se Maqedonia nuk është e interesuar të zë vendin e saj në NATO dhe BE". "Dhe, nga krejt kjo, do të krijohen probleme të brendshme, probleme që do të kenë elemente të destabilizimit, krizë politike", deklaron Ramadani. Nga ana tjetër, ish-shefi i diplomacisë, Sllodoban Çashule, thotë se institucionet e vendit, veç tjerash, duhet të përqendrohen edhe në rrethanat e reja të krijuara në Bashkimin Evropian, lidhur me presidentin e ri të Unionit dhe funksionimin e Marrëveshjes së Lisbonës. "Unë, fillimisht, do t'i kushtoja rëndësi njohjes së elementeve të funksionimit të Marrëveshjes së Lisbonës, për të parë se si do të koordinohet funksioni i ri i presidentit të Unionit dhe në çfarë forme do të funksionojë kryesimi me BE-në, nëse do të vazhdojë sistemi i deritanishëm i rotacionit. Kjo do ti determinonte orientimet teknike të veprimit tonë". "Më pas, mendoj se rëndësi të madhe do të ketë përfitimi i sa më shumë aleatëve për të mbrojtur pozicionet tona. Dhe në fund, më kryesorja, do të jetë ndërtimi i një qëndrimi të vetëm brenda vendit për atë se çka është e pranueshme e çka jo", thotë Çashule. Ndërkohë, Ismet Ramadani në zgjidhjen e kontestit kërkon angazhimin dhe presionin edhe të partisë shqiptare në pushtet, pasi, sipas tij, shqiptarët janë peng i politikës jokonstruktive të kryeministrit Nikolla Gruevski. "Shqiptarët janë peng i kësaj politike kryeneçe, politikë inati, politikë, e cila fare nuk është konstruktive, politikë e njerëzve që nuk e dinë apo nuk kanë kuptuar se bota nuk sillet rreth Maqedonisë", shprehet Ramadani. Pasi Greqia bllokoi në dhjetor të vitit të kaluar caktimin e datës për fillimin e negociatave me Maqedoninë, shtetet anëtare të BE-së sërish bënë thirrje për zgjidhjen e kontestit rreth emrit, duke rekomanduar që çështja e caktimit të datës të shqyrtohet edhe një herë gjatë presidencës spanjolle me Unionin. (*) RFE