English

Vrasja e parë e 2010, viktimat e "City Club" nuk ishin shënjestër e agresorit

Pejë, 4 Janar NOA - Personi që mbeti i vrarë në masakrën që ndodhi mbrëmjen e 2 janarit në diskotekën "City Club" në Pejë është Besart Shabi, 25 vjeç nga Peja.

Të plagosur në këtë ngjarje janë Valdet Kelmendi, gjithashtu një 25 vjeçar nga Peja, Arta Bardhi 20 vjeçe nga Peja dhe një pjesëtar i policisë nga Istogu, që nuk ndodhej në detyrë zyrtare. Kelmendi, është dërguar për trajtim më të speicalizuar mjekësor në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, për shkak të plagëve serioze.

Policia nuk e ka arrestuar personin që shkaktoi këtë tragjedi duke shtënë me dy pistoleta në drejtim të viktimave që gjendeshin në mes të një grupi të madh njerëzish në diskotekë.

Agresori, pasi ka qëlluar mbi të rinjtë që ishin në diskotekë, për motive ende të panjohura, është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ndodhet ende në arrati.

Zeqir Kelmendi, zyrtar për informim i Policisë së Kosovës në Pejë, pranoi se ka të dhëna për identitetin e autorit por refuzoi t'i bëjë ato publike.

"Deri tani nuk dihen motivet e këtij sulmi dhe po ashtu nuk dihet as identiteti i të dyshuarit, i cili është larguar në drejtim të panjohur", sqaroi zyrtari për informim, Zeqir Kelmendi.Â

Nga dëshmitë në vendngjarje, i dyshuari, në momentin që kishte hyrë brenda kishte filluar të gjuajë me të dyja pistoletat që i kishte në secilën dorë.

Dyshimet më të forta janë se agresori kishte synim një tjetër person që ishte aty në diskotekë çka forcon bindjen se i vrari dhe tre të plagosurit u bënë "mish për top".

"Kemi qenë shumë persona në atë moment. Të gjithë ishim duke festuar. Pastaj, hyri një person i armatosur dhe ka gjuajtur pa ndonjë kontroll. Plumbat kanë fluturuar mbi të gjithë ne. Është e çuditshme se si kemi shpëtuar. Viktima ka qenë duke festuar me ne. Nuk e besoj që personi që ka gjuajtur ka pasur ndonjë konflikt me Besartin, por me dikë tjetër", tha një dëshmitar që pranoi të fliste vetëm në kushte anonimiteti.Â

a.b/e.r/NOA

Â

KOMENTE