English

Forcat e Armatosura ndërtojnë argjinatura dhe ura në zonat e përmbytura

Shkodër, 5 Janar NOA - Forcat ushtarake nisën sot në mëngjes dhe kanë përfunduar rreth mesditës ndërtimin e urës tip "Bejli" me gjatësi 9 metër në Muriqan të komunës Obot. Në fshatin Obot janë shpërndarë me anë të gomoneve dhe motobarkave ushtarake rreth 200 pako me ndihma ushqimore, afërsisht tre ton me materiale të nevojshme për familjet që kanë shtëpitë e përmbytura.

Gjithashtu po punojnë me intensitet për riparimin e infrastrukturës rrugore në zonat e prekura nga përmbytjet dhe po merren edhe me evakuimin e banorëve të zonave të përmbytura.

Forcat e Armatosura kanë vendosur në dispozicion të Shtabit të Emergjencave kapacitete të mjaftueshme për zhvendosjen e banorëve, ndër të cilat forca njerëzore dhe mjete për transportim të mallrave dhe të bagëtive.

Shumë prej banorëve janë vetëzhvendosur tek të afërmit ose kanë refuzuar largimin nga banesat, i thanë sonte agjencisë NOA, burime zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes duke iu referuar të dhënave në terren.

Dikasteri tha se ka vënë në dispozicion për banorët që evakuohen, Shtëpinë e Pushimit në Durrës me një kapacitet prej 420 personash.

Gjithashtu, është përfunduar dhe vënë në gatishmëri të plotë, një kamping me të gjitha pajisjet, i cili mund të strehojë mbi 130 persona.

Aktualisht janë të angazhuar në terren rreth 164 forca, 48 mjete si; 12 kamionë, 6 gomone, 1 ambulancë, 14 vetëshkarkues, 1 karro-ofiçinë, 4 fadroma, 2 ekskavatorë dhe mjete të tjera.

Zonat ku operojnë forcat ushtarake në Qarkun Lezhë janë: Tale dhe Shëngjin; në Qarkun Shkodër: Obot, Oblik, Dajç, Muriqan, Dërgjat, Shirq dhe Vau i Dejës. Â

a.b/e.r/NOA

KOMENTE