English

I jepet lamtumira e fundit regjisorit Ibrahim Muçaj

Tiranë, 5 Janar NOA - Artistë, kolegë dhe miq i dhanë sot në mesditë lamtumirën e fundit në ambientet e Teatrit Kombëtar regjisorit të njohur Ibrahim Muçaj i cili u nda nga jeta në moshën 65-vjeçare pas një ataku kardiak, duke i marrë kinematografisë shqiptare, një nga emrat më të shquar të saj.

Mes figurave të njohura të artit dhe Kulturës edhe Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj bëri homazhe në nderim të veprës dhe personalitetit të papërsëritshëm artistik të Ibrahim Muçajt. Firmën e tij mbajnë një seri filmash, që renditen në fondin e artë të kinemasë shqiptare. Muçaj lindi më 8 dhjetor të vitit 1944, në Vlorë. Në moshë fare të re, ai ka realizuar filma mjaft të suksesshëm, duke bashkëpunuar me emrat më të mirë të aktrimit shqiptar, si "Tokë e përgjakur" (1976), "Dimri i fundit" (1976), "Nusja dhe shtetrrethimi" (1978), Liri a vdekje (1979), etj.

Gjatë karrierës së tij ka bashkëpunuar ngushtë me regjisorin Kristaq Mitro, me të cilin ka realizuar një numër të madh filmash. Të tjerë filma që mbajnë firmën e Muçajt janë "Dëshpërimisht" (2000), "Një djalë edhe një vajzë" (1990), "Telefoni i një mëngjesi" (1987), "Duaje emrin tënd" (1984), "Apasionata", "Njeriu i mirë" (1982), "Në prag të lirisë" (1981).

Gjithashtu është autor i një sërë dokumentarësh. Gjatë karrierës së tij ka shërbyer edhe në funksione të larta si drejtor i "AlbaFilm Studio", drejtues Projektesh në Qendrën Kombëtare Kinematografike Shqiptare, një kontribut të çmuar ka dhënë edhe në fushën e mësimdhënies, si pedagog në degën e regjisë skenike, pranë akademisë së Arteve.

e.r/NOA

KOMENTE