English

Kakofonia ka zëvendësuar debatin publik

Ndodh që kalojnë të pareplikuara qoftë ide shumë interesante, qoftë broçkulla gjigante, të hedhura nga njëri apo tjetri. Kështu ndodh më në fund - dhe kjo është më e keqja - që vdes debati publik. E kur vdes debati publik, demokracia shndërrohet në një fiction mashtrues. Pikërisht kjo ka ndodhur në Shqipëri

Nga Mustafa Nano

Ne e përdorim shpesh togfjalëshin "debat publik", pa na shkuar në mendje ndoshta se në Shqipëri veç debat publik nuk ka. E vërteta është se ka plot zëra që dëgjohen, por puna është se këta zëra flasin për hesap të vetë. Eksponentët më të rëndësishëm politikë, të cilët kanë në dorë ex officio të përcaktojnë në shumë raste zemrën e fokusin e debatit, dhe t'i japin "zjarr" këtij të fundit, sillen si të ishin në rastin më të mirë aktorë të ngeshëm të shoqërisë civile, e në rastin më të keq rrugaçë të lagjeve të periferive. Me një fjalë, o flasin gjithashtu për hesap të vet (duke mos jetuar asnjë çikë me përparësitë e shqetësimet që dalin nga jeta reale shqiptare dhe duke mos u bërë fare merak mbi atë që thonë kundërshtarët e tyre), o hedhin sharje e shpifje në anën tjetër të frontit. E për të kënduar këtë avazin e fundit, nxjerrin në skenë ca çupëlina, të cilat, sapo i sheh, ta shpifin në çdo pikëpamje. Është ky debat? Afërmendsh jo. Nëse do ta merrnim në analizë diskursin publik të udhëheqësve tanë politikë, nuk do të ishte e vështirë të vinim re se, përgjithësisht, këto diskurse nuk puqen në asnjë pikë. Asnjëri syresh nuk komunikon me të tjerët. Mund të qëllojë që mund të flasin për ata, por jo me ata. Dhe kur flasin për ata (d.m.th., të tjerët, rëndom kundërshtarët), këtë e bëjnë nëpërmjet sharjesh, fyerjesh e shpifjesh. Por edhe sikur ta injoronim këtë dozën e madhe të sharjeve e shpifjeve, ajo që mbetet nuk është debat, prapëseprapë. Kur opozita del e thotë një gjë, bën një kritikë apo një denoncim, është e natyrshme të pritet që dikush nga mazhoranca të dalë e të japë një përgjigje. Dhe e anasjellta është e vërtetë, d.m.th., kur dikush nga mazhoranca del e mban një qëndrim lidhur me një çështje të rëndësishme, duhet të dalë se s'bën dikush nga opozita të na bëjë me dije mbi qëndrimin e tyre lidhur me të njëjtën çështje. Por edhe kur ndodh kjo (në fakt, ndodh shumë rrallë), nuk ka lidhje me asnjë çështje me rëndësi publike apo kombëtare; ka lidhje me mbrojtjen e nderit të njërit apo tjetrit. Kjo gjë nuk është e tepërt të bëhet, por ajo që s'shkon është mobizilimi i partisë në funksion të nderit të nëpërkëmbur të njërit apo tjetrit, ndërkohë që nderin mund ta mbrojnë në gjykatë. Është aq dramatike mungesa e kulturës së ballafaqimit të ideve, sa edhe paktet e marrëveshjet e mëdha nuk kanë ardhur pas një debati, por duke e anashkaluar debatin; kanë ardhur pra, si produkt pazaresh të kopsitura në prapaskenë. Ilustrimi më i mirë i kësaj dukurie është lidhja e shkurtër Rama-Berisha, që pati për rezultat ndryshimin brenda natës të dy neneve të Kushtetutës. Përpara kësaj ngjarjeje ka pasur të tjera të ngjashme, si ato të lidhura mes Nanos e Berishës, e më pas ka pasur të tjera, si pakti mes Metës e Berishës. Në muajt e ardhshëm bën vaki të ketë negociata të tjera në prapaskenë, të cilat mund të na shiten si fryte të gatishmërisë për t'u ulur në tavolina bisedimesh, por do të jenë si gjithmonë fryte kulisash e paktesh. Pakte të tilla nuk kanë të bëjnë asnjë çikë me kulturën e debatit publik, i cili ka kuptim veç kur zhvillohet ditë për ditë në sytë e publikut e për çështje që i interesojnë publikut. Për ca kohë po vihej re një ballafaqim televiziv midis palëve, gjë që nuk mund të mos përshëndetej. Por edhe ky ballafaqim televiziv nuk ekziston më. Tanimë, njerëzit e Berishës mblidhen andej nga TV "Klan" e nga TVSH, e bëjnë një dorë muhabet, ndërsa njerëzit e opozitës mblidhen nga "Vizion Plus" e nga "Top-Channel". Dhe kështu, debatet e "qëmotshme", të cilat ishin thjesht një zhvillim embrional i kulturës së debatit publik, janë shndërruar në festa, gosti e zdërhallje televizive mes të ngjashmëve. Njerëzve të pushtetit u duhet të marrin leje te Berisha për çdo ftesë që u vjen nga televizionet armike, ndërsa njerëzve të opozitës u duhet të marrin leje te Rama. E keqja nuk është vetëm te fakti që politikanët i shmangen debatit publik me kampin tjetër. Ata nuk komunikojnë as me aktorët jopolitikë të mjedisit publik, sidozot intelektualë e gazetarë. Çfarë nuk është shkruar për politikanët shqiptarë, e në mënyrën më të çuditshme, ata nuk para e kanë vënë ujin në zjarr. Ti mund të bësh akuzën më të frikshme në adresë të tyre, por ata e kanë bërë zakon të të injorojnë. Nuk ka asnjë rast që një ministër të ketë marrë penën e të shkruajë dy rreshta në përgjigje të një shkrimi kritik në adresë të tij. Kjo është e rëndë dhe e papërfytyrueshme në një vend tjetër. Por kjo puna e debatit të munguar publik nuk lidhet veç me klasën politike. Lidhet edhe me intelektualët e gazetarët më në zë të vendit, të cilat i kanë aq të rralla polemikat mes tyre, sa ato numërohen me gishta. E ç'është më e keqja, edhe kur i bëjnë i mbushin me fyerje e shpifje. Polemikat e bëra në shtypin shqiptar janë modeli që na tregon se si polemikat nuk duhen bërë. Autorët e tyre merren me personin që kanë përballë, e jo me idetë e tij; bëjnë çmos të përbaltin kundërshtarin, e nuk synojnë të zhvleftësojnë kauzën e tij; bëjnë biografira e insinuata, e nuk interesohen fare për atë që është thënë. Dhe kështu vjen puna që njerëzit me buon-sens e me skrupuj i dorëzohen ngasjes për të folur sikur të tjerët të mos ekzistonin e për të mos bërë asnjë lloj debati; përndryshe, do t'u duhet të bëhen shënjestër e shushunjave të shtypit shqiptar, gjë që afërmendsh nuk të jep ndonjë "kënaqësi" të madhe. Kështu ndodh që kalojnë të pareplikuara qoftë ide shumë interesante, qoftë broçkulla gjigante, të hedhura nga njëri apo tjetri. Kështu ndodh më në fund - dhe kjo është më e keqja - që vdes debati publik. E kur vdes debati publik, demokracia shndërrohet në një fiction mashtrues. Pikërisht kjo ka ndodhur në Shqipëri.Â

KOMENTE