Tiranë, 5 janar NOA - Kinematografia shqiptare humb kineastin Ibrahim Muçaj.
Pas një ataku kardiak, ndahet nga jeta në moshën 65-vjeçare regjisori i mirënjohur, i cili ishte një nga regjisorët më prodhimtarë shqiptarë, skenarist e pedagog në Akademinë e Arteve.
Ibrahim Muçaj lindi në 8 dhjetor të vitit 1944 në Vlorë.
Pasioni për kinemanë u shfaq shumë herët tek ai dhe sot shumë filma të njohur të kinematografisë shqiptare mbajnë firmën e regjisorit të njohur Muçaj si "Liri a vdekje", "Apasionata", "Duaje emrin tend", "Dimri i fundit", "Tokë e përgjakur","Nusja dhe shtetrrethimi", "Telefoni i një mëngjesi", "Njeriu i mirë", "Në prag të lirisë" dhe pas viteve '90 dha kontributin tij në filma të tjerë si "Një djalë edhe një vajzë"(1990) "Dëshpërimisht"(2000).
Kontributi i tij në fushën e kinematografisë ka qenë i lidhur edhe me gjininë e dokumentarit.
Gjatë karrierës së tij ka shërbyer edhe në funksione të larta si drejtor i "AlbaFilm Studio", drejtues Projektesh në Qendrën Kombëtare Kinematografike Shqiptare.
Ai ka punuar si pedagog në degën e regjisë skenike, në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë duke dhënë një ndihmesë të çmuar edhe në fushën e mësimdhënies.
Një nga projektet e fundit të tij ishte filmi "Fundi i një iluzioni", të cilin po e realizonte, së bashku me të birin, Irvin Muçaj.
Sot paradite në hollin e Teatrit Kombëtar artistë, kineastë, miq dhe dashamirës i bënë homazhe e fundit jetës dhe veprës së kineastit Ibrahim Muçaj.
Nderuan me prezencën e tyre edhe Ministri i MTKRS-së, z. Ferdinand Xhaferri , deputetja Rajmonda Bulku, (një nja aktoret protagoniste në disa filma të Muçajt) dhe shumë personalitete të tjera të artit dhe kulturës shqiptare.
Në orën 14.00 kineasti Ibrahim Muçaj u përcoll për në banesën e fundit nga artistë, miq dhe të afërm.
m.s/NOA