Tiranë, 5 janar NOA - Ministria e Brendshme deklaroi sot se procesi i pajisjes së qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike po ecën me ritme të shpejta dhe duke zbatuar në mënyrë korrekte afatin dyjavor nga aplikimi tek lëshimi i pasaportës.
"Ministria e Brendshme shpreh keqardhjen që Partia Socialiste vazhdon politikën e saj demotivuese ndaj procesit të pajisjes së qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike.
Me këtë rast dëshirojmë të bëjmë një pyetje:
Kur ka ndërmend Partia Socialiste t'u bëjë thirrje qytetarëve shqiptarë që të pajisen me pasaporta biometrike?
Duke ju bërë të ditur se deri në fund të vitit 2009 është arritur një shifër impresionuese e aplikimit për pasaporta biometrike, konkretisht 388 569 aplikime, ministria e Brendshme u bën thirrje edhe njëherë qytetarëve jo vetëm të aplikojnë, por edhe të nxitojnë që të pajisen sa më parë me pasaportën biometrike" deklaroi sot ministria e Brendshme.
Ndërkohë që të gjithë aplikuesit për pasaportë biometrike që u është prodhuar pasaporta duhet ta tërheqin atë sepse pasaportat sapo prodhohen regjistrohen në sistem duke nxjerrë kështu të pavlefshme pasaportën e mëparshme.
Asnjë aplikues pas datës 26.12.2009, nuk ndalohet deri në datën 10.01.2010 në asnjë pikë kalimi kufitar për shkak se vetëm ka aplikuar dhe nuk e ka marrë apo nuk i është prodhuar pasaporta.
k.k/NOA