English

Përmbytjet, Berisha harton strategjinë: Jemi në buzë të një katastrofe të vërtetë

Tiranë, 5 janar NOA - "Jemi në buzë të një katastrofe dhe kur themi katastrofë, them katastrofë e vërtetë. Rreziku i përmbytjeve është shumë tragjik. Detyra dhe apeli është që me urgjencë të fillojmë evakuimin për të shpëtuar e për të mos pasur nën kërcënim asnjë jetë njerëzore".

Me këto fjalë iu drejtua shtabit të emergjencës kryeministri, Sali Berisha sot gjatë inspektimit në komunën Dajç, Bregu i Bunës.

Kryeministri Berisha u takua me banorë të Dajçit, të cilët i këshilloi të evakuojnë shtëpitë për të mos pasur nën kërcënim asnjë jetë njerëzore. Kryeministri ju shprehu gatishmërinë e qeverisë për t'ju ofruar çdo ndihmë për kapërcimin e kësaj situate. Sikundër i siguroi se pasi të dilet nga kjo situatë, qeveria do të japë të gjithë mbështetjen për ripërtëritjen e zonës.

"Mendoj se është bërë një menaxhim eficent dhe deri tani janë shmangur të gjitha pasojat madhore, nuk kemi asnjë jetë të humbur, nuk kemi dëme të ndjeshme, mund të ketë në bagëti, ka sigurisht dëme në kulturat bujqësore, në ushqimin e blegtorisë dhe të tjera.

Por duke u nisur nga situata e këtyre orëve në Dajç, në Anë Mali, në Shkodër në tërësi, duke pasur parasysh faktin se jemi në një kohë që, sipas të gjitha parashikimeve sinoptike të vendit dhe të vendeve përreth Italisë, jemi para një moti të zgjatur dhe të thellë, pasi si sot parashikohet së paku edhe në ditët që vijnë, në mos edhe më gjerë" iu drejtua më tej Berisha shtabit të emergjencave.

Kryeministri kërkoi që të nisë evakuimi i fëmijëve, grave dhe të moshuarve, të fillohet evakuimi i gjësë së gjallë.

"Komuna të krijojë grupe çobanësh, ne i paguajmë, që të marrin në mbikëqyrje gjënë e gjallë, lopë, të imta, të gjitha, t'i marrin dhe të dalin në komuna të tjera, ku nuk ka rrezik përmbytjeje. Ne duhet të zvogëlojmë maksimalisht dëmet. Ato që janë të pashmangshme janë të pashmangshme dhe ne u përgjigjemi. Të kalojmë situatën dhe qeveria i ndihmon dhe ka të gjitha mundësitë. Qeveria i garanton fermerët e Ana Malit dhe të Dajçit se do t'i ndihmojë, do t'i zhdëmtojë, por, në radhë të parë, duhet të ndihmojmë veten. Nuk rrihet kështu, është situatë buzë katastrofe. Duhet të themi të vërtetën. Sot, para dy tre-orësh në Fierzë është bllokuar derdhja, por nesër, prurjet gjigante mund të na detyrojmë t'i hapim. Mund të jemi para situatave të paparashikuara, krejtësisht të paparashikuara" tha më tej Berisha.

k.k/NOA

KOMENTE