English

PS, Dogjani: Siguria e jetës në vend është zero, qeveria mbyll sytë dhe veshët

Tiranë, 5 janar NOA - "Siguria në vend është zero. Krimi i rrugës rritet dita ditës. Mediat raportojnë ngjarje shokuese, ndërkohë që qeveria mbyll veshët dhe sytë përballë atyre ç'ka i rekomandojnë, jo vetëm opozita, por edhe miqtë e partnerët që asistojnë Shqipërinë".

Kështu ka deklaruar sot deputeti i Partisë Socialiste, Asllan Dogjani gjatë një komunikimi me mediat duke ngritur shqetësim për sigurinë në vend ku janë rikthyer maskat, grabitjet me armë me pasojë vdekjen, apo vjedhjet e banesave dhe qytetarëve në rrugë.

"Situata e krijuar kohët e fundit ku janë shtuar dukshëm vjedhjet me armë në rrugë, grabitjet e banesave, biznesmenëve, bankave, pikave të karburantit, pensionistëve u janë grabitur paratë, vjedhjet e xhepave në autobusë, të çantave, të sendeve të qytetarëve, sidomos grave në Tiranë, pa përmendur krimin e organizuar, trafikun e drogës, klandestinëve apo aksidentet e përditshme e të shumta automobilistike me pasoja në njerëz, ngre pikëpyetje të mëdha për mungesën e sigurisë në vend.

Paralajmërimi i Ambasadorit të OSBE Robert Boch se kriza ekonomike e cila ka prekur Shqipërinë do të sjellë rritjen e varfërisë në vend, do të shtojë kriminalitetin dhe do të përkeqësojë sigurinë e qytetarëve ka rënë në vesh të shurdhët, pasi njerëzit që na qeverisin nuk dëgjojnë jo vetëm opozitën por as partnerët që na asistojnë" tha Dogjani.

Sipas Dogjanit, askush nuk është i sigurt në këtë vend nëse nuk është pjesë e pushtetit dhe oborrit, qeveria është e paaftë të sigurojë jetën dhe pronën e qytetarëve shqiptarë.

k.k/NOA

KOMENTE