Tiranë, 5 janar NOA - Deputetja, Mimi Kodheli ka denoncuar sot në emër të Partisë Socialiste, paaftësinë e kësaj qeverie për të përballuar e fluksin e shqiptarëve që vijnë në atdhe për të kaluar disa ditë pushimi.
"Kjo qeveri, e cila duhet t'u jetë mirënjohëse të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë, të cilët me kontributin e tyre mbajnë në këmbë ende ekonominë e brishtë të Shqipërisë, duhet që të paktën një herë në vit, kur ata kanë nevojë për asistencën e qeverisë së tyre, të jetë e aftë ta bëjë këtë.
Është i disati vit që emigrantët i kalojnë pushimet jo me të afërmit e tyre, por në radhë të gjata e kilometrike. Radhë në kufij, por ajo ç'ka është më e papranueshme tashmë, janë dhe radhët e gjata në zyrat e aplikimit për pasaportat biometrike" tha sot gjatë një deklarate për shtyp deputetja socialiste, Mimi Kodheli.
Sipas saj, edhe gjatë verës e njëjta situatë, radhët po ashtu ishin të gjata, emigrantët tanë përsëri kaluan ditë e javë për të marrë një dokument dhe më pas në radhë kilometrike për t'u larguar nga vendi.
"Partia Socialiste denoncon jo vetëm paaftësinë e kësaj qeverie, por edhe mungesën e vullnetit të saj për t'i paraprirë situatave të cilat nuk janë fenomene natyrore, por normalisht të pritshme e të njohura.
Qeveritarët të lënë shfaqjet televizive e t'ju mundësojnë shqiptarëve që duan të pajisen me pasaporta biometrike kushtet minimale dhe mos i sorollatin në radhë të pafundme vetëm e vetëm se nuk mendojnë për ta" përfundoi Kodheli.
k.k/NOA
Â