English

Sfidat e Obamës në vitin 2010

Me gjithë deklaratat për zbehjen e ndikimit të SHBA-së, bota do të kërkojë kryesimin e saj pas shpërthimit të këtyre bombave të montuara. Ka ardhur koha që të përgatitesh, Barack!

Nga Foreign Policy

Natyrisht se do të ishte absurde të thuhet se bota nxjerr në sipërfaqe krizat duke iu përmbajtur ritmit të sistemit politik të SHBA-së. Çdo vit sjell me vete shpërthimet e mëdha dhe të vogla, duke filluar nga luftërat, puçet, urinë e deri te katastrofat natyrore. Por, qarku i politikës amerikane është i rëndësishëm për shkak se ai shpalos mënyrën në të cilën reagon presidenti amerikan ndaj ngjarjeve në botë. Nëse viti i parë ka të bëjë me shpalosjen e agjendës dhe testimin e një udhëheqësi ende të papërvojë, viti i dytë është viti gjatë të cilit ambiciet përballen me realitetin. Në vitin e dytë nuk ka hapësirë për justifikime: ekipi pak a shumë është në vend; presidenti nuk mund të flasë më për mungesë të përvojës, në prag janë edhe zgjedhjet e gjysmë-mandatit të cilat frenojnë apetitet e Kongresit për të rrezikuar. Viti i dytë zakonisht është mundësia e fundit për të realizuar gjëra të mëdha, një sugjerim për rreziqet dhe premtimet të cilat e presin Barack Obamën në momentin kur po hyn në atë që me siguri se do të jetë një vit i dytë i rrëmujshëm në Zyrën Ovale. Në vitin 1962, John F. Kennedy tejkaloi gabimin fillestar të cilin e bëri në Gjirin e Derrave, duke e manovruar jashtë loje udhëheqësin e atëhershëm sovjetik, Nikita Hrushcov, gjatë krizës së raketave në Kubë, duke injoruar kërkesat për ta eskaluar krizën, me ç'gjë do të rrezikonte një luftë bërthamore ose të kapitullonte. Të ecim përpara drejt vitit 1978, kur Jimmy Carter i lumtur doli para të dy dhomave të Kongresit Amerikan për t'i njoftuar ligjvënësit për atë se çfarë kishte arritur gjatë 13 ditëve të tendosura në Camp David - marrëveshjen paqësore mes Egjiptit dhe Izraelit, dy rivalëve në Lindjen e Mesme. "Të bekuar janë ata që bëjnë paqe, prandaj duhet të quhen fëmijë të Zotit", kishte thënë Carter, duke lavdëruar marrëveshjen historike për të cilën ishte i bindur se do të përhapte prosperitetin dhe harmoninë në tërë rajonin. I ndërprerë 25 herë nga duartrokitjet, ai atëbotë nuk kishte fare ide se administrata e tij nuk po vërente shenjat të cilat paralajmëronin një ardhmëri krejt tjetër për Lindjen e Mesme, e cila po përcaktohej nga turmat e njerëzve në rrugët e Teheranit dhe Tabrizit. Sikur edhe në rastin e shumë presidentëve tjerë amerikanë, viti i dytë i Carterit - që nga suksesi i tij në Camp David, e deri te mosvërejtja e shenjave të Revolucionit Islamik në Iran - përfundoi duke e përcaktuar trashëgiminë e tij. Në vitin 1990, George Bushi i vjetër menaxhoi dezintegrimin e Bashkimit Sovjetik dhe arriti të tubojë një koalicion të madh global për të konfrontuar Saddam Husseinin, por ishte i ngadalshëm me reagimin e tij ndaj rënies ekonomike dhe mbylli sytë para konfliktit në Ballkan. Bill Clinton në vitin 1994 më në fund arriti të lëvizë NATO'n për të vepruar në Bosnje, por mosveprimi i tij gjatë kohës së gjenocidit në Ruandë është duke e ndjekur ende. Viti 2002 ishte viti kur George Bush shpalli para kohës fitoren në Afganistan dhe filloi përgatitjet aktive për të invaduar në Irak, vendime këto të cilat vulosin trashëgiminë e një presidenti. Për presidentin aktual krizat e vitit të dytë mund të dalin nga ajo seri e çështjeve të vështira me të cilat është përballur edhe në ditën e inaugurimit të tij: ekonomia e brishtë globale, luftërat që po dështojnë në Afganistan dhe Pakistan, Irani, nga udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë, të cilët nuk munden apo nuk dëshirojnë të bëjnë paqe, nga Somalia që prodhon kaos, nga Iraku, i cili nuk do të jetë gati për t'u kujdesur vet për siguri. Por, ka gjasa që Obama të goditet edhe nga ndonjë problem, i cili aktualisht nuk gjendet në faqet e para të gazetave. Në vitin 2010, në mesin e këtyre gjërave mund të jenë recesioni dyshifror i provokuar nga çmimet e larta të naftës, lufta e re qytetare në Sudan apo ndoshta edhe shpërthimi i brendshëm në Jemen, i cili do ta shndërronte këtë shtet në qendër të Al Qaedës. Apo si qëndron puna me krizën e mundshme në Egjipt, aleatin e SHBA'së, në një prej rajoneve më të dhunshme në botë, apo rreth shembjes së sistemit të tregtisë globale? Me gjithë deklaratat për zbehjen e ndikimit të SHBA'së, bota do të kërkojë kryesimin e saj pas shpërthimit të këtyre bombave të montuara. Ka ardhur koha që të përgatitesh, Barack!Â

KOMENTE