Tiranë, 5 janar NOA - Qëllon me pistoletë në drejtim të një 24-vjeçari duke e lënë të plagosur rëndë dhe më pas tenton të largohet drejt Italisë me traget por e kap policia në mes të detit.
Ngjarja ndodhi dje në rrugën "Irfan Tomini" në pranë një lokali në Tiranë kur Elson Shehi, 19-vjeç ka tentuar të vrasë me pistoletë 24-vjeçarin Denis Redhaj.
Policia e sinjalizuar për ngjarjen nisi menjëherë hetimet për të identifikuar dhe kapur autorin.
Burime nga policia thanë për agjencinë e lajmeve NOA se vetëm pak orë më pas u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të plagosjes i cili sipas informacioneve ishte nisur drejt Italisë me traget nga Porti i Durrësit.
Nga ana e shërbimeve të Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin u bë verifikimi i menjëhershëm dhe 19-vjeçari rezultoi se ndodhej në tragetin Riviera Adriatika të linjës Durrës-Bari i cili sapo ishte nisur.
Policia njoftoi Kapitanerinë e Portit të Durrësit e cila bëri kthimin pas të tragetit dhe njëkohësisht një mjet i Policisë Kufitare doli për shoqërimin e tragetit deri në akostimin e tij në Portin e Durrësit.
I plagosuri Denis Redhaj aktualisht ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak në Tiranë nën trajtimin mjekësor, jashtë rrezikut për jetën.
k.k/NOA