Nga Rajmonda Lajthia
Tiranë, 6 Janar NOA - Mbi 150 pasagjerë ngujohen me orë të tëra në bordin e avionit në aeroportin e Birminghamit të Anglisë duke përjetuar frikë dhe pasiguri.
Linja ajrore "Albanian Airlines" është detyruar nga kushtet e këqija atmosferike, reshjet e shumta të borës, të bëjë një ulje në aeroportin e Birmingham, në vend të atij, të Stansted.
Mbasi është orvatur mëse një orë përreth aeroportit të Stansted, pilotët kanë arritur të bindin aeroportin e Birmingham-it të ulin avionin e tyre. Avioni ishte nisur nga Aeroporti ndërkombëtar "Nënë Tereza" rreth orës 8:15 të mëngjesit të sotëm dhe mbas dy orë e dyzet minuta ka mbërritur në Angli.
"The Albanian", gazetë e shqiptarëve në Londr ka ndjekur problemin dhe raporton se "pasagjerët e kësaj linje, përveç kaosit të krijuar nga kushtet atmosferike, kanë përjetuar edhe një tjetër tmerr të paparë: Pasi avioni është stacionuar në një nga pistat e aeroportit të Birmingham-it, pasagjerët janë lënë në bordin e tij më shumë se pesë orë të mbyllur në bord".
Kompania e "Albanian Airlines" ka injoruar totalisht kërkesat dhe nevojat e pasagjerëve duke i lënë pa ndihmë mjekësore, pije dhe ushqime.
Duke pasur parasysh se në bord kishte fëmijë të vegjël dhe të moshuar, të cilëve u duhej më së shumti ndihma mjekësore dhe ushqime.
Pasi shume prej tyre kishin dhimbje koke, temperaturë të lartë, etje dhe uri, etj. Pasagjerët kishin rreth tetë orë që kishin nisur udhëtimin e tyre brenda avionit të kompanisë "Albanian Airlines".
r.l/NOA