Tiranë, 6 janar, NOA - Nëpër pikat kufitare të vendit vazhdon ende që të jetë një fluks i lartë i daljes së emigrantëve shqiptarë, të cilët iu drejtohen vendeve fqinje pas festave të fundvitit kaluar pranë familjeve të tyre në Shqipëri.
Lajmi konfirmohet nga Departamenti i Kufirit dhe Migracionit sipas të cilit vetëm gjatë 24 orëve të fundit ky fluks lëvizje në të gjitha pikat e kalimit kufitar ka rezultuar të jetë 18.438 persona.
Sipas tij, gjatë 3 ditëve të fundit vihet re një rritje e fluksit të lëvizjes në dalje, i cili pritet të bjerë në ditët e ardhshme, sa më shumë që largohemi në kohë nga festat e fundvitit.
Por jo i pakët ka qenë edhe numri i personave të huaj që kanë hyrë dhe kanë dalë nga territori i vendit tonë me rastin e festave të fundvitit.
Kështu, në 24 orët e fundit numërohen 1961 të huaj që kanë hyrë në tokën shqiptare dhe 3007 që kanë dalë prej saj, duke treguar se të shumtë kanë qenë ata që kanë preferuar Shqipërinë për të kaluar festat.
n.e/NOA